
Dr. Bashkim Nezaj, një nga mjekët profesionist të Pediatrisë së Tiranës, është ndarë parakohe nga jeta duke lënë dhimbje e trishtim te familjarët, kolegët dhe pacientët qe e kishin njohur në dy dekada shërbim publik.
Një profesionist i përkushtuar, një njeri i qetë dhe i dashur, një mjek që ia kushtoi jetën dhe zemrën shërbimit ndaj fëmijëve.
Për më shumë se 20 vite, Dr. Bashkimi ka qenë pranë çdo vogëlushi që ka kaluar pragun e shërbimit të Pediatrisë, duke u bërë shembull i përkushtimit, humanizmit dhe profesionalizmit të rrallë, shkruan Spitali "Nënë Tereza" teksa jep lajmin e trishtë.
Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, kolegët dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin e të punonin me të. Ai do të mbetet përherë në kujtesën e kolegëve si një figurë e dashur dhe e respektuar, që la gjurmë të thella në QSUNT dhe në zemrat e pacientëve të vegjël.
"Në emër të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij. Prehu në paqe, doktor Bashkimi. Kontributi yt nuk do të harrohet kurrë", thuhet në njoftimin e Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza".