
Deputeti Enkelejd Alibeaj ka folur në lidhje me situatën politike në vend, ku është shprehur se duhet të ketë një strukturë të re politike.
Ai tha se një parti e re politike do krijonte besim te qytetarët dhe që do largonte simptomat e korrupsionit.
“Ka një identitet sot në shoqërinë shqiptare që njihet si një grup njerëzisht të cilët i kanë qëndruar fortë vlerave fondamentale, si marrëdhëniet me perëndimin, drejtësinë, konceptin e “non gratave”, nevojën që një parti demokratike do duhet të largojë simptomat e korrupsionit të dikurshëm, e mbi të gjitha me nevojën e madhe që opozitat, për të sfiduar regjimin e Ramës do duhet të kenë një fytyrë ndryshe dhe një ofertë të re politike.
Për këtë arsye, po ka një identitet politik, ka qëndrime politike, ka edhe struktura e burime njerëzore, të cilat deri dje quheshin si partia zyrtare e Partisë Demokratike. Për më tepër kemi edhe një program politik. Kështu që janë të gjitha premisat, madje sot e kërkon historia politike e këtij vendi këtë formacion të ri. Kur do krijohet, si do krijohet dhe kush do i bashkohet, kjo është çështje tjetër. Unë jam me idenë se ky proces do të ndodh shpejtë e do të ndodh tani”, tha Enkelejd Alibeaj për “Euronews Albania”.