
Një ngjarje e rëndë u shënua mesditën e kësaj të enjte në fshatin Tërnovë e Vogël të Bulqizës. 36-vjeçari i identifikuar si Vasil Kamberi u qëllua me çifte nga kushëriri i tij 34-vjeçar, shtetasi Flamur Kamberi.
Burime për mediat bëjnë me dije se ngjarja e rëndë u regjistrua në pyllin e këtij fshati, ku dy kushërinjtë, djem xhaxhallarësh, kishin dalë për gjueti.
Mësohet se 34-vjeçari dëshironte të qëllonte një derr, por aksidentalisht ka qëlluar kushëririn e tij, i cili fatkeqësisht humbi jetën teksa po transportohej me helikopter në spital.

Paraprakisht kjo ngjarje dyshohet të jetë aksidentale, por dinamika është ende nën hetim nga policia.
Policia e Bulqizës konfirmoi më herët se ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël. 36-vjeçari u gjet i plagosur në pyll e fatkeqësisht si pasojë e plagës së marrë humbi jetën teksa po transportohej për në spital. Lidhur me këtë ngjarje policia ka vënë në pranga kushëririn e viktimës.

“Me datë 16.01.2025, rreth orës 12.00, është marrë njofim se në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël në Bulqizë, është plagosur me armë gjahu (çifte), shtetasi V.K., 36 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën gjatë transportimit me helikopter për në spital.
Nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se autori i dyshuar i ngjarjes është shtetasi F.K., 34 vjeç (i afërm me shtetasin V.K.), i cili është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, njoftoi Policia më herët.