
Robert Kulla, djali i kreut të bandës famëkeqe që bënte ligjin në Tiranën e viteve '97-98 është arrestuar nga Policia e Tiranës. Kanë qenë shërbimet e Komisariatit nr.4, që kanë lokalizuar dhe prangosur djalin e "Gjeneralit".
41 vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Dhuna në familje", "Vetëgjyqësia", dhe "Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës".
Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës", thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Nehat Kulla, i njohur si "i forti i Tiranës" apo "Gjenerali i Kinostudios e Tufinës ndërroi jetë katër vite më parë, në moshën 67 vjeçare. Ai kishte pak muaj që ishte liruar nga burgu, kur u infektua me koronavirus dhe ndërroi jetë.
Kush ishte Nehat Kulla, Gjenerali i Tiranës
Banda e Nehat Kullës ishte një grup kriminal që veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998. Ajo u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë.
Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.

Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.
Kundërshtarët politikë të Fatos Nanos publikuan një foto të tij në burg me Nehat Kullën, duke deklaruar se Nano kishte lidhje me kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë. Arrestimet dhe daljet e shumta nga burgu të Kullës i shtuan dyshimet për lidhje të ngushta të tij me politikën.