Lorenc Gropa, një efektiv i Policisë së Shtetit me detyrë Trup Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Fier, është vënë në pranga pasditen e djeshme nga kolegët e tij pasi rezultoi se shiste kokainë. Në pranga ranë dhe të afërmit e tij, që trafikonin armë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) kishte marrë informacione se polici po hetohej si pjesë e një grupi kriminal dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Fierit, i ka hedhur prangat e i ka kontrolluar shtëpinë.
Në shtëpinë e tij u gjet një qese me pluhur të bardhë, në dukje lëndë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë.
Në pranga ranë dhe kushërinjtë e Lorenc Gropës, shtetasit Klevis Gropa dhe Ledjon Gropa, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, veprimtari të cilën dyshohet se e kryenin në ambientet e një bar kafe, në Patos.
Pikërisht në këtë kafe është futur në kurth dhe efektivi i Policisë së Fierit. Një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është paraqitur për të blerë kokainë, siç kishte rënë dakord me Lorenc Gropën dhe të afërmit e tij dhe në momentin që ka ndodhur shkëmbimi, ka ndërhyrë AMP-ja.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se nga veprimet hetimore dhe këqyrja e telefonave, u dokumentua implikimi në trafikun e armëve në shtetin grek të shtetasit Skerdilajd Levendi, i cili u arrestua për "Trafikim i armëve dhe municioneve", pasi ai negocionte me shtetas të tjerë në lidhje me këtë veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasi Bruno Festimaj, i dyshuar për "Organizim i lojërave të palejuara" dhe "Vënia në dispozicion e ambienteve për lojëra të palejuara", si dhe shtetasi Maliq Gropa, i dyshuar për "Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive".
Nga ana AMP-së vijojnë hetimet për përfshirjen e mundshme të shtetasve apo punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari të paligjshme.
© Newsbomb.al