
“Arrest me burg” ka vendosur Gjykata e Durrësit për Benard Kajën, Elton Kaleshin dhe Kledian Lleshin nga Dibra, banues në Durrës të cilët para dy ditësh dhunuan në mënyrë barbare një 32-vjeçar në sy të policëve dhe bluzave të bardha në spitalin rajonal të Durrësit.
Babai, xhaxhai dhe një i afërm i vajzës së familjes janë tre autorët të cilët u futën në dhomën e spitalit ku po trajtohej i riu Eridion Cenameti duke e goditen me grushte në kokë e fytyrë duke i shkaktuar plagë të shumtë.
Shkak i dhunës ishte sepse i riu nga Burreli, banues në Durrës kishte një lidhje dashurie me vajzën e Kledian Lleshit 41-vjeç, por familja e saj nuk e pranonin këtë lidhje. Në dëshminë para efektivëve të policisë, 32-vjeçari tregoi se ata ishin familjarët e vajzës me të cilën prej një viti kishte lidhje dashurie. Ai tregoi për hetuesit se afërmit e të dashurës së tij e kanë kërcënuar dhe here të tjera duke i kërkuar të heqë dorë nga vajza dhe të zhdukej nga Durrësi.
Babai i të dashurës së 32-vjeçarit e kishte kërcënuar disa herë të riun që të zhdukej nga qyteti dhe të mos i afrohej vazjës së tij, edhe pse i riu kishte dashur ta bënte lidhjen familjare.
Sipas dëshmisë, ai ka marrë mesazhe kërcënuese nga babai i vajzës se do t’i vriste të dy.
“Unë mendoj se arsyeja që më kanë goditur ka qenë pasi shtetasi K. K. më ka pas kërcënuar që unë mos të dukem më në Durrës. Në një rast në bisedë telefonike, shtetasi K. K., më ka thënë të shkoj të marr vajzën dhe të zhdukem bashkë me të dhe mos të në shohë më në Shqipëri pasi në të kundërt më ka kërcënuar se do na vriste mua dhe vajzën e tij”,- ka thënë i riu në dëshminë në polici.
Por ajo që e bën më të rëndë këtë ngjarje është se si tre agresorët arritën të futen në dhomën ku i riu po ruhej nga policia pasi ishte arrestuar më herët duke drejtuar automjetin i dehur.
“Rreth orës 21.00 në urgjencën e Spitalit rajonal Durrës tre persona kundërshtuan me forcë policinë dhe rrahën në mënyrë barbare të riun. Policia e Durrësit arrestoi një ditë pas ngjarjes në orën 2:30 të mëngjesit babanë K.K 41 vjeç, xhaxhanë E. K. 37 vjeç dhe një person tjetër B. K. 37 vjeç, të tre lindur në Dibër, por banues në lagjen 13 Plazh Durrës." - njoftoi policia.
Mbi tre personat rëndojnë veprat penale të “kundërshtimi i punonjësve të Policisë së rendit”, “plagosje e lehtë me dashje” dhe “prishje e rendit dhe qetësisë publike”.