Gjykata e Apelit ka vendosur të zbusë masën e sigurisë ndaj djalit të Nehat Kullës, Robertit, duke e liruar nga qelia për ta lënë atë në arrest shtëpie.
Në vendimin e dhënë të datës 3 qershor të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi atë me burgim, nën akuzën për kryerjen e veprave penale si “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”.
Djali i Nehat Kullës e apeloi këtë vendim të Shkallës së Parë, duke e cilësuar si të padrejtë, ndërsa sot Apeli pranoi pjesërisht apelimin e Kullës, duke e liruar nga burgimi dhe duke e dërguar në shtëpi në masën e arrestit shtëpiak.
Robert Kulla u arrestua në flagrancë nga Policia e Tiranës më 1 qershor, pasi u denoncua nga njerka e tij se kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës së shtëpisë, pas një konflikti të vazhdueshëm që ato kanë pasur për pronën.
Ai është djali i "të fortit" të Tiranës, i cili më pas mori dhe nofkën "Gjenerali”, Nehat Kulla.
Djali i "Gjeneralit" dhe gruaja e tij janë përfshirë prej dy vitesh në një proces gjyqësor për pronësinë e vilës së Nehat Kullës në zonën e Tufinës. Një pasuri me vlerë të madhe, buzë rrugës dhe e rrethuar me një mur të lartë, për të cilën certifikatë pronësie kanë të dy shtetasit e mësipërm.
Çështja ka përfunduar në Gjykatën Civile, mirëpo Robert Kulla dhe njerka e tij nuk kanë pritur vendimin e togave të zeza, raporton newsbomb.al. Djali i "Gjeneralit" pretendon se prona i takon atij, ndërsa njerka thotë se ajo ka një certifikatë të pronës, gjithashtu.
Nehat Kulla, i njohur si "i forti i Tiranës" apo "Gjenerali i Kinostudios e Tufinës ndërroi jetë katër vite më parë, në moshën 67 vjeçare. Ai kishte pak muaj që ishte liruar nga burgu, kur u infektua me koronavirus dhe ndërroi jetë për shkak edhe të sëmundjeve bashkëshoqëruese që kishte.