
Pesë persona të shpallur në kërkim janë arrestuar për vepra penale të ndryshme, në kuadër të fazës së tretë të operacionit policor "Catch".
Përmes një njoftimi zyrtar policia ka bërë me dije se në pranga ka rënë një 61-vjeçar i cili është dënuar nga Gjykata e Kurbnit me 1 vit burg për veprën penale “Dhuna në familje”. Sakaq, është bërë i mundur edhe arrestimi i një 17-vjeçari, pasi është dënuar me burg për vjedhje.
Gjithashtu në pranga ka rënë dhe një 27-vjeçar i cili është i dënuar nga gjykata për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", teksa është ndaluar shtetasi 36-vjeçar i dënuar për veprën penale "Mosdhënia e mjeteve për jetesë", ndërkohë një 24-vjeçar është dënuar nga gjykata për veprën penale "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim B. M., 27 vjeç, me masë sigurie “Arrest në burg”, nga Gjykata e Tiranës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën shtetasin e shpallur në kërkim V. P., 61 vjeç, i dënuar me 1 vit burgim, nga Gjykata e Kurbinit, për veprën penale “Dhuna në familje”. Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kapën dhe ndaluan shtetasin E. Ll., 17 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim P. V., 36 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 muaj burgim, për veprën penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim N. Th., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Për veprime të mëtejshme, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës.