Dhoma Ekonomike e Gruas ka kujtuar mbrëmjen e së enjtes, më 28 Mars, anëtaren dhe biznesmenen e ndjerë Klodiana Ajazi. Siç e thërrisnin të gjithë, Klodi ndërroi jetë në Turqi ku ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, pas komplikacioneve nga humbja e foshnjës në muajin e shtatë të shtatzënisë.
"Së bashku me Klodin… Mbrëmjen e 28 marsit, me iniciativë të Kryetares së Dhomës Ekonomike të Gruas, znj. Antonela Hako, u realizua një përkujtimore për të nderuar të ndjerën Klodiana Ajazi, ku na u bashkuan familjarë, kolegë e miq të saj…
Falenderojmë përzemërsisht të pranishmit që na përcollën momentet e kujtimet e tyre për të ndjerën Klodi, nën tingujt e violinave dhe na emocionuan me fjalët e tyre prekëse", thuhet në njoftimin që ndan Dhoma Ekonomike e Gruas.
Klodiana Ajazi ka mbyllur sytë përgjithmonë mbrëmjen e 16 Shkurtit 2024. Pas javësh betejë me komplikacionet e rënda shëndetësore, vajza e qeshur dhe pozitive që ndihmonte këdo, u largua nga kjo botë.
Shqiptarët u bënë bashkë për të dhe mblodhën në kohë rekord rreth 120.000 euro për kurimin në një spital në Stamboll, por fatkeqësisht ajo u largua nga jeta duke lënë zemërthyer, miqtë, familjen, bashkëshortin dhe të gjitha ata që e njihnin.
"Klodi do ti mungojë pafund familjes, por dhe shoqërisë që ka humbur një vajzë model, të çiltër e të drejtpërdrejt, një sipërmarrëse të suksesshme, që sapo kishte marrë në dorë frenat e jetës së saj dhe nje nga kontribueset kryesore të Dhomës Ekonomike të Gruas në Shqipëri, ku ajo shpenzoi orë të tëra për ngritjen, strukturimin, organizimin dhe lobimin në mbështetje të gruas sipërmarrëse", përmbyll Dhoma Ekonomike e Gruas.
Më shumë se 2.000 shqiptarë, qytetarë të thjeshtë, miq të Klodit, kolegë dhe sipërmarrës të suksesshëm, ju bashkuan thirrjes së familjes për të mbledhur në kohë rekord paratë që duheshin. Për rreth një javë, u mblodhën plot 120.000 euro dhe më poshtë janë disa nga dhuruesit më të mëdhenj, mes më shumë se dy mijë shqiptarëve.
Fondacioni Mane është kontributori kryesor me 5.000 euro, më pas Arbër Hajdari me fondacionin e tij me 2.000 euro, dhe pas tyre Juliana Shiroka, Ardian Duti, Altina Banaj, Alma Dervishi, Edlira Muedini, Endrit Alikaj, Marcela Peza, kunati i Klodit, Eno Nana, respektivisht me nga 1.000 euro dhe shumë të tjerë.