Gjergj Kola, qytetari i cili u godit ditë më parë me shpullë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Altin Qato, ka folur më herë të parë ku dhe ka treguar se si ndodhi ngjarja.
Në një intervistë të shkurtër për “Syri Tv”, Kola ka rrëfyer se e gjithë ngjarja ka ardhur pasi po i binin borisë së makinave si të gjithë të tjerët. Sipas qytetarit, Qato ka dhunuar edhe shokun e tij i cili ishte shoferi i mjetit me të cilin po udhëtonin dhe më pas ka shkuar te ai dhe e ka goditur me shpullë.
"Unë po kthehesha, aty ishte protesta. Unë nuk kisha as lidhje me protestën, po kthehesha për në Tiranë. Pastaj na ndaloi Policia, po i binim borisë si gjithë të tjerët, po i binte ai shoku im, unë isha pasagjer. Një moment i thotë policëve ndaleni filan makinë, kanë marrë atë, kolegun tim Edison Qerimin, atë e kanë rrahur, por nuk i kanë nxjerrë video.
Kanë tentuar edhe ta fusin në bagazh, e kanë sharë dhe me fjalët më të ndyra. Pasi ka rrahur atë ka ardhur më ka kapur mua, ka hapur derën dhe ma ka futur me shpullë direkt. Pa i bërë asgjë”, duke ritheksuar edhe njëherë që e gjithë ngjarja dhe dhuna e ushtruar ndaj tyre ka ardhur pa asnjë arsye, qytetari u ka bërë apel autoriteteve që të zbardhin këtë ngjarje dhe të marrin masa.
“Thjesht me nxjerr fytyrën e shtetit, kush është ky edhe polic edhe gangëster. Nesër ai ta fut me plumb. Ta zgjidhni këtë çështje, nuk ka të drejtë ai të më bjerë me shpullë mua, pa e sharë pa e ofenduar pa i bërë asgjë. Mua më vjen turp të dal në rrugë”, ka thënë ndër të tjera Gjergj Kola.
Pasditen e 2 gushtit, banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës dolën në protestë dhe bllokuan aksin rrugor Thumanë-Kashar. Ata kërkonin hapjen e rrugës dytësore dhe një nyje për të hyrë në autostradën e re. Në formë protestë, shoferët u binin borive të makinave dhe një ndër ta u pikas nga Altin Qato.
Në pamjet e bëra publike më herët në rrjet drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Altin Qato, shihej teksa godiste me shpullë qytetarin, Gjergj Kola.
Menjëherë pas publikimit të këtyre pamjeve Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, pezulloi nga detyra Qaton. Mirëpo, ky pezullim nuk zgjati më tepër se tre ditë pasi në datën 5 gusht ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, njoftoi se Altin Qato u rikthye sërish në detyrë.
"Partia Demokratike e dënon kthimin e Qatos në detyrë dhe kërkon marrjen e masave disiplinore serioze e të plota ndaj tij dhe çdo zyrtari që, në shkelje të detyrës, kërcënon, frikëson apo godet qytetarët.
Rikthimi i tij në detyrë, pas një “autokritike të shëndoshë” për Rrumbullakun e narko-Policisë dëshmon se sa i inkriminuar është pushteti, që nxjerr policët e Rrugores në rrugët e Shqipërisë për të goditur qytetarët, që jo vetëm paguajnë taksa për rrugët, por edhe rrogat e policëve", tha Balliu.