Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dezinformimi i portaleve anonime, prokurorive dhe gjykatave u kërkohet të ashpërsojnë vendimet ndaj shpifjes online

Shkruar nga Newsbomb

Dezinformimi i portaleve anonime, prokurorive dhe gjykatave u kërkohet

Operacioni "Anonimët" që zhvilloi sot Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka rikthyer vëmendjen e opinionit publik dhe profesionistëve të medias te drafti "anti-shpifje" i qeverisë shqiptare, i cili për shkak të reagimeve u vendos të tërhiqej nga dërgimi në Kuvend.

Një shef sektori që kishte inat disa nga drejtuesit e tij në Policinë e Shtetit, paguante gazetarin 600 euro në muaj dhe i dërgonte lajme të rreme, të cilat ky i fundit as nuk merrte mundimin t'i verifikonte dhe i publikonte.

Gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias janë distancuar nga rasti, duke ngulmuar te nevoja e menjëhershme për vetë-rregullim të redaksive dhe ashpërsimi i vendimeve të institucioneve të drejtësisë ndaj autorëve të dezinformimit të qëllimshëm në median online.

Gazetari dhe analisti i njohur Skënder Minxhozi është shprehur se situata në Shqipëri ashtu si në vendet e tjera të botës, është shumë alarmante për shkak se personazhe të dyshimtë shfrytëzojnë teknologjinë dhe kamuflohen në media për qëllime që nuk kanë lidhje me informimin.

“Është një situatë alarmante. Pas kaq vitesh gazetari mund të them që profesioni ynë ka ardhur drejt një zhbërjeje drejt një banaliteti sepse teknologjia përveç demokratizimit që ka sjellë rrjeti, mjaft personazhe të dyshimtë, të shfrytëzojnë botën e informacionit për qëllime përfitimi apo presionesh që nuk kanë të bëjnë fare me profesionin e gazetarit. Situata jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën është alarmante. Disa qindra portale janë të populluara edhe nga ato që vetëquhen redaksi që nuk bëjnë punën e informimit, por të dezinformimit”, ka thënë ai.

Juristja Brizida Gjikondi ka vlerësuar operacionin e drejtuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe ka theksuar nevojën që prokuroritë dhe gjykatat të mbështesin autoritetet policore në këtë reagim që ato kanë ndërmarrë ndaj mediave gjobëvënëse.

"Do doja që gjykata dhe prokuroria të flasë. Aksioni i tij, është një gjë shumë pozitive. Gjobvënia nuk është më që gjobëvënësit shkojnë në biznese dhe t’ua thonë me gojë, por ne dimë që janë disa portale të spikatura në gjobëvënie", u shpreh juristja në Abc News.

Janë jo të pakta portalet online që veprojnë në Shqipëri, por kryesisht në Tiranë për shkak të ndërlidhjes së shumë interesave, të cilat hapen zakonisht në periudha zgjedhore dhe denigrojnë figura publike që përfshijnë njerëz të medias, biznesit dhe politikës.

Shpesh herë është kërkuar vetë-rregullimi i tregut, por asnjëherë nuk janë marrë masa konkrete sepse janë me qindra portale që nnuk dihet se si financohen, kush i drejton dhe cilët janë personat të cilët qëndrojnë pas lajmeve që nuk kanë asnjë bazë e fakt.

Analisti Frrok Çupi thotë se në realitetin shqiptar, media është kthyer në armike të demokracisë, duke ju referuar këtyre portaleve anonime.

"Media është armike e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në vendin tonë është shumë më i lehtë burgu, sesa media, media shpif, denigron, ka çuar njerëz drejt vrasjes. Institucionet e lirisë, të së vërtetës më në fund, dhe ato humane janë kthyer në streha ku po fshihen kriminelët", është shprehur ai.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese