Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e 42-vjeçari Egli Proga në Pogradec. Dy ditë pas ngjarjes së rëndë, bëhet me dije se policia ka sekuesturar DVR-në e kamerave të lokalit. Por, pas këqyrjes së tyre është vërejtur se nuk ka asgjë të regjistruar. Të ndodhur në këto kushte, organi i akuzës ka urdhëruar ekspertimin e saj për të mësuar nëse ka pasur apo jo ndërhyrje në të.
Siç raportohet nga mediat, policia ka arritur të bëjë të mundur idenfitikimin e autorit të krimit të rëndë pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Kujtojmë që sot Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë duke lënë në burg autorin Denis Meçe. Ndërkaq, befasuese ka qenë pretenca e prokurorisë që e ka cilësuar veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Megjithatë duhet theksuar se deri më tani, OPGJ-ja dhe Prokuroria janë në fazën e hetimeve paraprake.
Egli Proga u vra pasditen e së shtunës nga Denis Meçe, pas një konflikti të çastit midis tyre. Ngjarja e rëndë, u raportua fillimisht si aksidentale, por më vonë hetimet zbuluan se ai ishte rrahur për vdekje nga Meçe.
Sic raportuam edhe më parë, zanafilla e kësaj ngjarje dyshohet se ka lidhje me gjobëvënien, ku autori Denis Meçe ka nisur konfliktin me të riun pasi ai nuk ka pranuar që t’i japë xhiron ditore që kishte bërë nga biznesi i tij.
42 vjeçari, Egli Proga ka thënë se nuk mundet që të ja japë ato para, pasi të ardhurat i nevojiten për familjen e tij dhe dy fëmijët e mitur. Refuzimi i pagesës, ka bërë që autori i vrasjes, Meçe ta godasë atë disa herë, por një grusht në anën e majtë të kokës duket se ka rezultuar fatal për jetën e Egli Progës.