Është zbardhur motivi i rrëmbimit të 20-vjeçarit në mes të Tiranës, pranë sheshit “Skëndërbej”. 20-vjeçari ka qenë punonjës në një nga kioskat në qendër të kryeqytet dhe mësohet se është dhunuar barbarisht aq sa ka humbur ndjenjat.
20-vjeçari është dhunuar dhe më pas është marrë peng pasi kishte dalë 10 milionë euro minus në xhiron ditore. Për këtë arsye menaxheri Denis Baxhaku, bashkë me Ermand Hoxhën dhe Teo Kolemiçon, morën peng dhe dhunuan të riun ende të paidentifikuar.
Dëshmi nga ngjarja tregojnë se 3 shtetasit të moshës 36-vjeç, 31-vjeç dhe 19-vjeç e goditën në mes të sheshit ku ndodhej dhe kioska, duke i shkaktuar hematoma në kokë dhe pasi i ra të fikët ata i kanë hedhur ujë të ftohtë dhe e kanë rrahur sërish ndërsa e mbanin të lidhur me pranga.
Mësohet se i riu 20-vjeçar ndodhet në spital në gjendje të rënduar shëndetësore. Policia ka arrestuar menaxherin Denis Baxhakun, 36-vjeç, Ermand Hoxhën 31-vjeç dhe Teo Kolemiçon 28-vjeç, ndërsa ka shpallur në kërkim 19-vjeçarin H.P. Ky i fundit raportohet se është Secyrity në një prej kompanive private.
Njoftimi i plotë i policisë:
I hoqën lirinë një shtetasi dhe ushtruan dhunë ndaj tij, arrestohen 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas tjetër që ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në Polici.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë ditën e sotme nga një 20-vjeçar, se 3 shtetas i kishin hequr lirinë dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Si rezultat:
- u arrestuan shtetasit D. B., 36 vjeç, dhe E. H., 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë";
- u arrestua shtetasi T. K., 28 vjeç, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin "Skënderbej", një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici. Materialet i kaluan Prokurorisë.