Policia e Shkodrës ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur pasditen e kësaj të shtune në lagjen “Salo Halili” të këtij qyteti, ku një 24-vjeçar mbeti i plagosur.
I plagosuri është identifikuar si Jaser Osmani, i cili po merr ndihmën mjekësore në spitalin e qytetit dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Të shtënat me armë janë regjistruar pas një konflikti të çastit mes 24-vjeçarit dhe autorit, i cili menjëherë pas ngjarjes është larguar në drejtim të paditur.
Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për kapjen e autorit.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 16:00, në lagjen Salo Halili, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit është plagosur në kofshë me armë zjarri pistoletë shtetasi J. O., 24 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet për kapjen e autorit.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.