Personi që shihni në foto është Julian Gjoshi, 27-vjeçari i cili ekzekutoi me armë zjarri pasditen e kësaj të diele 50-vjeçarin, Alfred Dedja.
Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në llogarinë e tij në “Facebook”, ka publikuar foton e së riut i cili rreth orës 15:30 i mori jetën, 50-vjeçarit Dedja ose i njohur ndryshe me pseudonimin “Daku”.
Sakaq, burime për mediat bëjnë me dije se “Daku” dhe i riu kishin njohje të hershme pasi vite më parë 50-vjeçari ka qenë menaxher tek “Golden Resort”, i cili është në pronësi të Altin Hajrit, kunatit të 27-vjeçarit.
Julian Goshi një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i cili përpos precedenteve penale figuron edhe në përgjimet e aplikacionit “SKY ECC” ku kërkohen favor për lirimin e tij nga burgu, pasi ishte arrestuar për “armëmbajtje pa leje”.
Burime për mediat bëjnë me dije se ka qenë pikërisht kunati i tij, Altin Hajri i cili i është futur “mik” te ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja.
Sipas SPAK, Hajri ka komunikuar me Çyrbjen në janar të vitit 2021 dhe e ka vënë në dijeni për arrestimin e kunatit të tij, Julian Gjoshi (i arrestuar me pistoletë 'Bereta" më 19 Janar 2021 në Tiranë).
Pronarit i kompleksit "Golden" në Shijak i ka kërkuar që të ndërhyjë për të liruar kunatin dhe do të paguante deri në 20 mijë euro, vetëm që të prishej prova. Hajri thekson se i arrestuari ishte kunati i tij dhe se ishte kapur me pistoletë pa leje. Lirimi duhej bërë në seancën e masës së sigurisë, më 21 Janar 2021.
Ish-deputeti, i cili tanimë ndodhet në prangat e policisë, rezulton të ketë përdorur njohjet e tij për 27-vjeçarin dhe ai nga masa e sigurisë “arrest me burg” u la në “arrest shtëpie” dhe më pas u dënua me shërbim prove.