Hapësire reklamuese


Aktualitet

DEL FOTO/ Kush është autori me të shkuar kriminale që masakroi çiftin e të moshuarve në Dropull

Shkruar nga Newsbomb
DEL FOTO/ Kush është autori me të shkuar kriminale që
Autori dhe foto nga vendi i ngjarjes

Thoma Mostora është autori i vrasjes së dyfishtë të shënuar pak ditë më parë në fshatin Bodrishtë të Dropull, ku një çift të moshuarish u gjetën të pajetë në oborrin e shtëpisë.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Ardian Çipa, për media tha se autori është edhe bashkëfshatar i të moshuarve.

Sakaq, bëhet me dije se Thoma Mastora nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi edhe më parë ka qenë i dënuar për vjedhje.

69-vjeçari dyshohet se ka goditur me sende të forta dhe mjete prerëse Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, duke u shkaktuar vdekjen.

Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit, por edhe mosmarrëveshjeve që autori ka pasur me 84-vjeçarin prej disa kohësh.

DEL FOTO/ Kush është autori me të shkuar kriminale që
Autori Thoma Mastora

Ditën që ka ndodhur ngjarja autori ka shkuar në shtëpinë e viktimave dhe ka pirë kafe, në diskutim e sipër kanë nisur të debatojnë dhe konflikti ka degraduar në dhunë, ku 69-vjeçari i ka goditur të dy për vdekje.

“Ata ishin goditur me sende të forta. Nga kontrolli në banesë u arrit që të gjendeshin dhe një vlerë prej 5 milionë lekësh të reja. 35 persona u shoqëruan, u kryen vlerësime dhe eksperimente hetimore. U arrit të sqarohej dokumentimi i kësaj ngjarje dhe të identifikohej autori. Autori i këtij krimi Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në këtë fshat, i dënuar më parë”, tha Çipa ndër të tjera.

Kujtojmë që çifti i të moshuarve Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe u gjetën të vdekur mëngjesin e datës 2 Maj në oborrin e shtëpisë së tyre, në fshatin Bodrishtë të Dropullit.

Njoftimi i plotë: 

Më datë 02.05.2024 rreth orës 08:00 jemi njoftuar se në fshatin Bodrishtë/Dropull ishin gjetur nga bashkëfshatarët pa shenja jete dy shtetas në brendësi të banesës së tyre. Me marrjen e njoftimit shkuan menjëherë në vendngjarje shërbimet e policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë. Gjithashtu për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e ngjarjes u ngrit një grup i posaçëm hetimor i kryesuar nga Drejtuesi i Prokurorisë Gjirokastër Z.Petrit Çano dhe prokurorja Blerina Musabelliu, Drejtori për Krimet e Rënda dhe Specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, ekspertë kriminalistë nga Instituti i Policisë Shkencore dhe ekspertë kriminalistë nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.

Grupi i posaçëm hetimor kreu një sërë veprimet hetimore dhe proceduriale në vendin e ngjarjes. Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në brendësi të oborrit të banesës është gjetur i pajetë shtetasi Kosta Ilia 84 vjeç, lindur e banues ne Bodrishtë dhe në brendësi të banesës është gjetur e pajetë Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, lindur e banuese në Bodrishtë. Nga kryqja sipërfaqësore e trupit të shtetasit Kosta dhe Kleoniqi Ilia u konstatuan shenja dhune në pjesë të ndryshme të kokës dhe trupit. Nga kryqja e vendit të ngjarjes, ambienteve të banesës dhe gjithë oborrit nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat.

Nga veprimet hetimore të kryera me ekspertët kriminalistë dhe mjeko- ligjorë u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse duke u shkaktuar vdekjen. Për thellimin e hetimit u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme sende dhe mjete të cilat dyshohej se kishin lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe që ekzaminimi i të cilave do të identifikonte autorin dhe dokumentonte me prova ligjore.

Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesë u arrit të gjendej, fiksohej dhe sekuestrohej me cilësinë e provës materiale përveç provave të tjera dhe një vlerë e konsiderueshme rreth 5 milion lekë të reja që çifti i të moshuarave kishte në banesë. Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 35 shtetas. U kryen intervista, verifikime, kontrolle, eskpertime, u bë eksperiment hetimor dhe të gjitha veprimet e tjera që grupi i posaçëm hetimor çmoi të nevojshme për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore ngjarjen. Nga hetimet intensive, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave u arrit të sqarohet motivi i kësaj ngjarje dhe të dokumentohet me prova ligjore autori i kësaj ngjarje të rëndë me pasoja vrasjen e dyfishtë të shtetasve Kosta e Kleoniqi Ilia.

Nga provat e siguruara rezulton se autori i këtij krimi dyshohet të jetë shtetasi Thoma Mastora 69 vjeç, banues në Bodrisht të bashkisë Dropull. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale u bë ekzekutimi i urdhrit të Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për ndalimin e shtetasit: Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në Bodrishtë/Dropull “, i dënuar më parë për vjedhje. Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për egzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë është punuar intensivisht nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Instituti i Policisë Shkencore dhe të Mjekësisë ligjore nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë dhe prokurores së çështjes, ku gjej rastin ti falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe punën profesionale të bërë për këtë rast. Dua të siguroj qytetarët se strukturat e Policisë që operojnë në territorin e qarkut Gjirokastër janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin e sigurinë dhe për të luftuar çdo paligjshmëri që shfaqet në territor dhe në këtë kuadër i ftoj sërish që të besojnë e bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë pasi bashkërisht ndërtojmë një ambient edhe më të sigurt.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese