
Profesori i njohur i Kriminologjisë, Ervin Karamuço është shprehur se rreth dy javë më parë, eskorta që shoqëruan dhe kujdeset për sigurinë e kryeprokurorit Altin Dumani, ka konstatuar dy makina që i janë vënë në ndjekje.
I ftuar në emisionin "Top Story", Karamuço ka treguar se kreu i SPAK po shkonte në një nga zonat rezidenciale në periferi të Tiranës për të marrë pjesë në një takim për Ditën e Europës, i ftuar nga një diplomat i lartë i akredituar në Tiranë.
Megjithatë, sipas asaj që deklaroi profesori, personat që po e ndiqnin kanë tentuar ta fotografojnë se në cilën rezidencë do të futej duke qenë se në këto zona jetojnë persona të rëndësishëm të politikës, biznesmenë dhe eksponentë të krimit.
"Unë e pashë edhe dje, ishte pak i axhituar, nervoz, ka një trysni, por nuk e shfaq. Para dy javësh është ndjekur nga dy makina, kanë dashur ta fotografojnë dhe filmojnë për ta parë ku po shkonte. Se aty jetojnë shumë njerëz, në një nga këto rezidencat.
Është detyruar të lërë një nga makinat jashtë dhe të futet me makinën blinduar. Pastaj ka rezultuar se ka shkuar të takojë një nga ata diplomatët e huaj, sepse ka qenë një takim atje më datë 9 Maj për Ditën e Europës", tregoi Ervin Karamuço.
Duke folur për paraqitjen e raportit vjetor të SPAK dje në Komisionin e Ligjeve, profesor Ervin Karamuço deklaroi se Altin Dumani nuk ishte fortë i qetë, sepse diçka e shqetësonte. Më pas, ai tregoi dhe episodin e ndodhur më 9 Maj në një nga zonat rezidenciale në dalje të Tiranës.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme apo dhe Policia e Tiranës, nëse personat që kanë shoqëruar eskortën e kryeprokurorit janë ndaluar e pyetur, apo nëse ndaj tyre është marrë ndonjë masë tjetër.
Altin Dumani dhe prokurorët e tjerë të SPAK gëzojnë mbrojtje speciale të garantuar nga Garda e Republikës, dhe sipas ligjit është e ndaluar që eskorta të ndiqet nga mjete të tjera civile që nuk kanë lidhje me grupin zyrtar të shoqërimit të zyrtarit të lartë.
© Newsbomb.al