Hapësire reklamuese

Aktualitet

Dekanati reagon për sherrin në Fakultetin e Ekonomisë

Shkruar nga Newsbomb
Dekanati reagon për sherrin në Fakultetin e Ekonomisë
Fakulteti Ekonomise Tirane

Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës ka reaguar lidhur me sherrin e ndodhur ditë më parë brenda ambienteve të këtij institucioni. 

Përmes një reagimi zyrtar Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë ka dënuar dhunën e ushtruar, duke sqaruar më tej opinionin publik se kjo ngjarje nuk cënon integritetin e këtij institucioni.

Ndër të tjera, Dekanati i FE-UT garanton studentët dhe maturantët të cilët do të aplikojnë pranë këtij institucioni se do të gjejnë gjithmonë një staf akademik të përkushtuar, i cili zhvillon proceset me standarde të larta dhe me integritet të plotë profesional dhe etik.

“Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në mbledhjen e datës 08. 07. 2024, ora 09:30, dënoi dhunën e ushtruar në incidentin e ndodhur brenda ambjenteve të Fakultetit në datën 05. 07. 2024.

Dekanati i Fakultetit mbështet deklaratën zyrtare të strukturave drejtuese të Universitetit të Tiranës për ngjarjen e ndodhur mes dy kolegëve të FE-UT, (bashkëngjitur deklarata).

Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë UT sqaron opinionin publik se ky incident është i shkëputur dhe nuk cënon integritetin e institucionit tonë. FE-UT është Fakulteti me standartin më të lartë dhe më cilësor falë stafit akademik mjaft të kualifikuar dhe studentëve të vet.

Garantojmë çdo maturant që do të aplikojë dhe çdo student se në Fakultetin e Ekonomisë, UT do të gjejë si gjithmonë një staf akademik të përkushtuar, që i zhvillon të gjitha proceset me standarte të larta dhe me integritet të plotë profesional dhe etik. Është puna e përkushtuar e pedagogëve tanë që u garanton çdo vit studentëve më të mirë të vendit, që zgjedhin Fakultetin e Ekonomisë, një shkollim dinjitoz, që i pajis ata me dije dhe edukim të shëndetshëm që i shoqëron kudo gjatë gjithë jetës”, thuhet në deklaratën e Dekanatit të FE-UT për ngjarjen e ndodhur në datë 5 korrik 2024.

Ngjarja ka ndodhur më datë 5 Korrik dhe një ditë më pas, efektivët e Komisariatit Nr.1 në Tiranë kanë bërë arrestimin e profesorit Mirdaim Axhami, si person i dyshuar, për goditjen e vartëses së tij.

Siç u bë me dije më herët, kallëzimi është bërë nga pedagogia dhe ish-deputetja e Partisë Demokratike, Liljana Billa Elmazi e cila ka pretenduar para oficerëve se shefi i saj e ka qëlluar me grusht. Sherri i pretenduar është parë dhe studentët e dëshmitarët e tjerë.

Shefi i Departamentit të Marketingut dhe njëherësh profesor në Universitetin e Tiranës, pretendon se në asnjë moment nuk e ka qëlluar me grusht kolegen e tij. Madje, siç mësoi newsbomb.al, ai pretendon se ka qenë Liljana Billa Elmazi ajo që e ka cënuar.

Ish-deputetja e PD që jep lëndën e Marketingut në Fakultetin e Ekonomisë ka qenë në garë për t'u bërë pjesë e Senatit Akademik në zgjedhjet që u mbajtën rreth 10 ditë më parë për universitetet dhe ka dalë humbëse.

Liljana Billa Elmazi raportohet se ka shkuar në zyrën e profesorit Mirdaim Axhami dhe ka nisur ta provokojë e të konfliktohet me këtë të fundit. Nga pretendimet e Axhamit, të mësuara nga newsbomb.al, ai thotë se të pranishëm kanë qenë dhe persona të tjerë që kanë parë të gjithë skenën.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese