
Si shumë qytete të vendit, situata problematike për shkak të reshjeve të dendura të dëborës paraqitet edhe në Kurbin. Burime për mediat bëjnë me dije se si pasojë e kushteve të vështira meteorologjike autoritetet po konsiderojnë ndërprerjen e procesit mësimor për ditën e nesërme në shkolla.
Në Bashkinë Kurbin, është ngritur si problem mungesa e energjisë elektrike, e cila ndikon drejtpërdrejt në ngrohjen e shkollave.
Duke qenë se kjo zonë ka mbetur pa energji elektrike, nuk është e mundur ngrohja e shkollave dhe për këtë arsye kushtet janë të papërshtatshme për të vijuar me procesin mësimor.
Prandaj, autoritetet e Bashkisë Kurbin po shqyrtojnë mundësinë që për ditën e nesërme të mos zhvillohet mësim në territorin e bashkisë.