
Komisioni Rregullator i KQZ-së ka nisur me përplasje midis anëtarëve të saj dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste.
Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, Komisioni Rregullator i KQZ-së vendosi për mosmiratimin e projektvendimeve të afateve për zgjedhjet në Himarë.
Anëtarët e këtij Komisioni votuan 3 pro dhe 2 kundër miratimit në parim, duke bërë që kryetarja e tij të mbyllë mbledhjen, pasi për miratimin e projektvendimit duhej një shumicë votash në raportin 4 me 1.
Anëtari i Komisionit Rregullator, Muharrem Çakaj argumentoi se vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të Fredi Belerit, të marrë të premten e 5 korrikut është e pavlefshme.
Sipas tij, baza ligjore e përdorur nga KQZ-ja për ligjin e dekriminalizimit nuk qëndron për vetë faktin se ky ligj parashikon që ngjarje të tilla duhet të kenë ndodhur para kandididimit të kandidatit në zgjedhjet vendore ose parlamentare.
“Baza ligjore e përdorur nga KQZ është ligji për dekriminalizimin, ndërkohë që ligji për dekriminalzimin bën fjalë për ngjarje dhe situata juridike që do duhet të kenë ndodhur para kandidimit dhe kandidati për bashkinë e Himarës ose si ka bërë të ditura, ose ka qenë në kushtet e ndalimit.
Vendimmarrja është e pavlefshme. Akti që ka iniciuar këtë proces është i pavlefshëm. Pavarësisht kësaj, edhe në hipotezën se ky akt do vlerësohet nga gjykatat, në pikën 3 të këtij akti ne kemi të parashikuar që mund të bëhen ankim në KAS",- tha Çakaj.
Çakaj thekson se dekreti i presidentit Begaj për shpalljen e datës 4 gusht si ditën e zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës është po ashtu i pavlefshëm, pasi duhej pritur që të kalohej afati për ankimin e vendimmarrjes së KQZ-së, si dhe vendimi i Gjykatës para se të miratohej ky akt.
“Po ditën që është marrë vendimi i KQZ, kemi një vendimmarrje me një shpejtësi të rrufeshme gjithë institucionet kanë caktuar datën, që ishte e paracaktuar, datën 4 gusht për zhvillimin e zgjedhjeve në Himarë.
Akti është i pavlefshëm dhe gjithë pasojat nuk qëndrojnë. Nuk është respektuar afti 30 ditor. Duhet të presim vendimin e Gjykatës para se të miratojmë këtë akt”,- përfundoi anëtari i Komisionit Rregullator, Muharrem Çakaj.
Megjithatë, fjala e anëtarit të Komisionit, Muharrem Çakaj është kundërshtuar nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, i cili shprehet se Komisioni Rregullator po kalon kompetencat duke gjykuar vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit të Fredi Belerit si dhe dekretin e Presidentit Begaj për shpalljen e datës së zgjedhjeve në Himarë.
Për Salianjin, Komisioni është duke shkelur haptazi rregullat dhe po kërkojnë që të pengojnë zhvillimin e një procesi të rregullt zgjedhor në këtë Bashki.
“Po diskutojmë afatet, të drejtën e këtij komisioni për të rregulluar organizmin e zgjedhjeve, ku ky organ s’ka punë fare me diskutim për ligjin e dekriminalizimit. Diskutohet dekreti i Presidentit, atë e bën gjykata.
Nuk pengohen zgjedhjet, kjo që miratoni ju është kalendar, zgjedhjet i bën kodi zgjedhor, kjo është që ju të ndihmoni procesin, doni ta pengoni, pengojeni por nuk është kjo rruga.
Po shkelni ligjin, mund të diskutoni vetëm afatet, por mund të merrni një vendimmarrje që s’ka lidhje me ju ta hidhni në tavolinë. Tentoni të merrni kompetencat e institucioneve të tjera”,- tha përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji.