Shkëlzen Cani, një 41 vjeçar nga Peqini, ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme. Ai ka shkuar i gjakosur në spital dhe mjekët pasi i kanë dhënë ndihmën e parë, kanë njoftuar menjëherë Komisariatin e Policisë, në zbatim të ligjit.
Ky shtetas është paraqitur për mjekim me plagë të shkaktuara nga një armë zjarri pistoletë në këmbë dhe mjekët e kanë futur në sallën e operacionit, për të ndaluar gjakderdhjen.
Efektivët e Komisariatit të Peqinit kanë marrë informacionet e para dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, kanë arritur të identifikojnë autorin e dyshuar.
Bëhet fjalë për 26 vjeçarin e identifikuar si Aldo Tufa, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas konfliktit me armë.
Ka qenë një konflikt i çastit rreth orës 21:10 të mbrëmjes së sotme në lagjen "Xhami" Peqin, i cili ka degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Aldo Tufa ka marrë pistoletën që mbante pa leje dhe ka shtënë në drejtim të Shkëlzen Canit, duke e plagosur në gjymtyrët e poshtme.
Policia bëri me dije më herët se 41 vjeçari ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, nga ana e shërbimeve policore vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, me kontrolle dhe postblloqe që janë ngritur në disa zona.
© Newsbomb.al