
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fierin mbrëmjen e sotme, ku një aksident ka shkaktuar humbjen e jetës së një çobani.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 në aksin rrugor Berat-Roskovec, në fshatin Suk 1. Dy automjete tip "Benz", të drejtuara nga shtetasit Q.M. dhe K.A., janë përplasur kokë më kokë, ndërsa në momentin e përplasjes, në rrugë ndodhej një tufë bagëtish që po kalonin.
Fatkeqësisht, çobani Festim Gllava, i cili ishte me bagëtitë e tij, ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes së fortë. Nga aksidenti kanë ngordhur rreth 30 bagëti, ndërsa disa të tjera janë plagosur. Po ashtu, të dy drejtuesit e mjeteve kanë pësuar lëndime serioze dhe janë dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor. Automjetet e përfshira në aksident kanë pësuar dëme të mëdha, pasi përplasja ka qenë e fortë.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit. Paraprakisht, dyshohet se ndërprerja e rrugës nga bagëtitë ka qenë një nga faktorët që çoi në këtë tragjedi.
Njoftimi i plotë i policisë së Fierit:
Rreth orës 18:00, në aksin rrugor Berat-Roskovec, në fshatin Suk 1, automjeti me drejtues shtetasin Q. M., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. A.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë ndërprerja e rrugës nga disa bagëti të imëta.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasi F. G, i cili po kalonte bagëtitë e imëta në rrugë, ku disa krerë bagëti kanë ngordhur, po si pasojë e përplasjes.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.