Hapësire reklamuese

Aktualitet

Burgu në Shqipëri një ambient i favorshëm për ekstremizmin e dhunshëm

Shkruar nga Newsbomb
Burgu në Shqipëri një ambient i favorshëm për
Revista Newsbomb.al

Nga Isa Myzyraj

Disa kilogramë më i dobët që kur kishte hyrë në burg, sigurisht më i vjetër, krejt i qetë në fytyrë, Verdi Morava pavarësisht se ka kryer 8 vite burg nën akuzën e terrorizmit, mohon pothuajse çdo fjalë të prokurorisë që kishte thënë në 2014 për të përpara trupës gjykuese. Sapo doli nga burgu pas 8 vitesh, ai nuk mbante telefon celular me vete, por me të mund të lidheshe vetëm përmes një të afërmi të tij.

Në një park të vogël të Tiranës i veshur me pantallona dhe këmishë, ai tregon kohën në gjashtë burgje të ndryshme të Shqipërisë. Në tregimin e tij nuk ka shumë dhunë, as gjëra të paimagjinueshme, por ka ankesa për prokurorinë dhe gjykatën të cilët e dënuan atë me 10 vite burg. “A je penduar?”- e pyes Verdin i cili jep një përgjigje të shpejtë, një “jo” bindëse ku thotë se “nuk kam bërë asgjë për t’u dënuar”. Akuzat për terrorizëm i quan montime dhe tërësisht të pabaza edhe pas 8 vitesh. Ritualet e fesë islame tregon që nuk i ka lënë asnjë ditë, as i mbyllur në qeli, por përkundrazi shprehet se ato vite kanë shërbyer për të lexuar e studiuar, kryesisht ligjin. Ai u dënua në 2016 së bashku me 8 persona të tjerë për një ndër veprat penale më të rënda të kodit Penal të Shqipërisë, terrorizmin.

Verdi thotë se duhet të takohemi një herë tjetër dhe ashtu ndodhi. Pak ditë më vonë takimi do të ishte i gjatë, disa orësh dhe biseda më e thellë e më me detaje. “Mos ki frikë, nuk jam terrorist, siç thonë ata” shprehet Verdi i cili pavarësisht se mohon akuzën thotë se burgjet shqiptare nuk kanë sistem rehabilitimi, jo për të, sepse ai s’kishte nevojë për rehabilitim (thotë ai), por për të tjerët. “Jam bërë aktivist për të burgosurit”, - shprehet Morava teksa tregon sesi ka iniciuar një sërë protestash dhe grevash për të drejtat në burg. “Kërkoja libra dhe të repsektoheshin të drejtat e të burgosurve”, -shprehet ai. “Ata mashtrojnë, nuk janë në gjendje që të deradikalizojnë dhe rehabilitojnë askënd”- thotë ndër rreshta. “Gënjejnë kur thonë se ka psikologë të specializuar, asnjë seancë e veçantë për ne nuk është bërë për ne, dhe ne nuk kemi përfituar trajtime ndryshe”- vijon Morava duke thënë se sistemi i burgjeve nuk të ofron deradikalizim për ata që janë të radikalizuar.

DERADIKALIZIMI NË BURGJE

Në një udhëzues për politikëbërësit dhe ofruesit e shërbimeve në Evropën Juglindore, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thotë se deradikalizimi është një nga objektivat kryesorë që duhet të kenë shtetet, kur bëhet fjalë për radikalë brenda dhe jashtë sistemeve të burgjeve. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogat (UNODC), ndërhyrjet që kanë të bëjnë me shkëputjen ose deradikalizimin, në mënyrë tipike “kanë të bëjnë me një larmi aktivitetesh, përfshirë: këshillim dhe mbështetje psikologjike; programe konjitive - të sjelljes; ndërhyrje të punës sociale; debat dhe dialog që bazohet te besimi; edukimi; trajnimi profesional; terapi krijuese; terapi fizike, ndërsa masat për deradikalizim priren të mbështeten në masë të madhe te studiues fetarë të trajnuar në mënyrë të posaçme; mentorë ose psikologë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 32-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Prill dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese