
Një atentat i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku persona të paidentifikuar deri tani kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt një automjeti Mercedes Benz G Class, ku udhëtonin dy djemtë e familjes Demiraj, shoferi i tyre dhe një bashkëmoshatar.
Të plagosur kanë mbetur Dior Demiraj, 11 vjeç, i cili është në gjendje të rëndë për jetën në spital. Po ashtu, nga breshëria e plumbave është plagosur dhe djali tjetër i familjes së madhe Demiraj, Marko Demiraj, shoferi i familjes Arenc Stafa, dhe bashkëmoshatari i adoleshentëve, Kian Mullaj.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës vazhdon intensivisht hetimet, por deri tani nuk ka të dhëna konkrete se cili ka qenë motivi i atentatit në zonën e Lundrës, kush ishte shënjestra dhe më kryesorja, cilët janë autorët.
Dyshimet janë se këta të fundit kanë qenë të paktën tre persona, një që ka qenë në rolin e drejtuesit të mjetit dhe dy të tjerë që kanë hapur zjarr me kallashnikov në të njëjtën kohë.
Arsyet mbeten enigmë. Tre personat e plagosur, veç 11 vjeçarit që është rëndë në spital, kanë thënë se nuk kanë pasur konflikt me asnjë person. Madje, edhe ditën e djeshme kur kishin dalë për të festuar ditëlindjen e 11 vjeçarit Dior Demiraj, ata kanë thënë se nuk ka ndodhur asnjë sherr.
Gjatë marrjes paraprake në pyetje, edhe shoferi Arenc Stafa ka deklaruar se nuk kishte asnjë konflikt dhe nuk e dinte arsyen e atentatit.
Një ndër pistat që po hetohet është dhe ajo se autorët mund të kenë ngatërruar shënjestër. Megjithatë, ka deklarime se automjeti Mercedes Benz G Class është ndjekur në një distancë të gjatë nga autorët dhe këta të fundit kanë vazhduar të qëllojnë me breshëri përgjatë itinerarit, kur mjetet ishin në lëvizje.
11 vjeçari Dior Demiraj ka dalë nga operacioni pas disa orësh, qëkur u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, por po mbahet nën kujdes intensiv nga mjekët sepse është në gjendje kritike për jetën.