Hapësire reklamuese

Aktualitet

Braktisje apo pastrim parash?! Të dhënat e Censit: Pallatet janë bosh, 32% ose 170 mijë apartamente pa njeri

Shkruar nga Newsbomb
Braktisje apo pastrim parash?! Të dhënat e Censit: Pallatet janë
Ilustrim: Pamje ajrore nga Tirana

Të dhënat zyrtare të Censit të popullsisë tregojnë se rreth 170 mijë apartamente në të gjithë Shqipërinë janë bosh, ose 32.9% janë të pabanuara. Këto shifra tregojnë shumë për situatën e ndërtimit në Shqipëri, por megjithatë nuk specifikojnë arsyen se përse janë bosh.

Në media kanë dalë edhe më parë të dhëna shqetësuese për apartamentet që blihen dhe qëndrojnë bosh. Tirana është një rast konkret, ku pak muaj më parë OSHEE bëri me diej se në 51 mijë apartamente, ishte shpenzuar 0 Lekë energji elektrike.  

Censi 2023 numëroi 1.082.529 banesa të zakonshme. Shtëpitë individuale përfaqësonin 47,0 përqind të këtyre banesave, ndërsa 39,9 përqind e tyre janë pallate. Një kategori e vogël e banesave janë banesa pjesërisht të veçuara (8,1 përqind) dhe shtëpi në rend tarracor (5,0 përqind).

Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325 (67,1 përqind) banesa të banuara, duke vlerësuar 32,9 përqind banesa të zakonshme të pabanuara.

Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3 përqind për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4 përqind për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8 përqind.

Këto të dhëna përforcojnë më tepër tezat se shqiptarët kanë ikur dhe një pjesë e apartamenteve janë të mbyllura, ndërsa pjesa tjetër blihen nga eksponentë të krimit për të pastruar paratë që gjeneron droga dhe veprimtaritë e tjera të paligjshme.

Asnjë faktor formal ekonomik nuk arrin të shpejgojë atë që po ndodh në Shqipëri dhe veçanërisht në Tiranë, ku oferta është jashtëzakonisht e lartë, një e pesta e apartamenteve janë të pabanuara, çmimet rriten dhe biznesi gjithnjë e më shumë kërkon investimin në këtë industri.

Mundësia e vetme që të justifikojë investimin në ndërtim dhe mbajtjen e apartamenteve bosh, janë paratë e pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit! Rritja e kapaciteteve bosh me një marzh të pazakontë rrit rrezikun e një fllukse në çmimet e apartamenteve, atë që ekspertët parlajmërojnë prej kohësh: një krize në sektorin imobilar.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese