
E gjithë Shqipëria ka qenë në “black out” total mesditën e kësaj të premte. Nga Kukësi në Sarandë qytetarët kanë mbetur pa energji elektrike për gati 20 minuta.
Rreth orës 12:20 energjia elektrike u ndërpre në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Kukës, Elbasan, Sarandë e Korçë. Mijëra familje kanë mbetur pa drita në një prej ditëve më të nxehta, ku në kryeqytet termometri shënon 41°C.
Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për rënien e një nga gjashtë linjave, konkretisht linja e interkonjeksionit 400 kV Tiranë (Shqipëri) – Podgoricë (Mali i Zi), të cilat janë pjesë e sistemit të transmetimit me vendet fqinje.
Ndërkohë, deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar, priten më tepër detaje në vijim.
Vlen të theksohet se ndërprerje ka pasur edhe në disa pjesë të Malit të Zi, ku pa energji elektrike ka mbetur Budva, Bar, Risno e Podgoricë. Gjithashtu, shumë qytete në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë mbetur pa energji elektrike, raporton Nezavisne novine.