
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka prezantuar kryepolicin Ilir Proda, i cili ka marrë zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Ministri Hoxha u shpreh se ceremonia e betimit të Ilir Prodës do bëhet kur të zgjidhen edhe drejtuesit e 12 qarqeve.
“Kaluam sot stafetën e drejtimit të Policisë së Shtetit tek Ilir Proda, një oficer karriere, i cili ka gjithë mbështetjen e Qeverisë, timen si Ministër i Brendshëm dhe gjithë strukturave për t’i çuar para arritjet e deritanishme të trupës me uniformë, duke prodhuar më shumë siguri për qytetarët tanë” - u shpreh Hoxha.

Ilir Proda u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pas një procesi konkurrimi me më shumë se 10 drejtues të lartë policie.
Emërimi i tij u konfirmua nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Proda ka një karrierë gati 19-vjeçare në Policinë e Shtetit, duke filluar si specialist i policisë kriminale në vitin 2005 dhe duke përfituar nga përvoja në role të ndryshme në policinë e Elbasanit dhe në poste të tjera të larta.
Ai ka kaluar të gjitha fazat e verifikimit nga organet ligjzbatuese, duke përfshirë procesin e pastërtisë së figurës, dhe është zgjedhur mes disa kandidatëve për të drejtuar Policinë e Shtetit.
Gjithashtu, emërimi i tij shihet si pjesë e një vizioni të ri për drejtimin e policisë, duke përfshirë një gjeneratë të re në udhëheqje. Proda ka pasur një karrierë që ka përfshirë poste të ndryshme, përfshirë drejtor në Elbasan, dhe ai është i njohur për përvojën e tij në hetimin e krimeve. Pas emërimit të tij, është planifikuar një konkurrim i ri për drejtuesit vendorë të policisë në qarqe.