Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka sqaruar dezinformimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës, duke thënë se për këto subjekte nuk ka ndryshim dhe kilovati është 7.6 lekë, raporton newsbomb.al.
"Të gjitha ato njësi tregtare që operojnë vetëm si furra buke paguajnë 7.6 lekë për KWh, që është çmimi më i ulët të cilin ne e aplikojmë për target grup këtu në OSHEE", është shprehur Balluku, gjatë një vizite në ambientet e OSHEE.
"Për shkak të një dezinformimi që ndodhi në treg ditët e fundit, duke thënë se aplikohet ora e pikut 18.30 me 22.00 duhet të rritet edhe çmimi i bukës, gjë që nuk është e vërtetë sepse orari i pikut aplikohet që nga viti 2016 me kërkesë të ERE dhe vjen si rrjedhojë e të gjitha kërkesave të BE", theksoi zëvendëskryeministrja.
Siç sqaroi ministrja e Energjisë dhe njëherësh zëvendëskryeministre, skema e dakordësuar me shoqatën e bukëpjeksave e thotë qartë se çmimi është 7.6 lek/KWh vetëm për furrat e bukës, 9.5 lek për KWh për ëmbëltoret që kanë edhe furrat e bukës, dhe 12 lek për KWh për bar kafetë.
"Çështja e furrave të bukës, ne e adresuam ashtu siç duhet. E bëmë transparencën publike, duke sqaruar disa fakte të rëndësishme. Furrat e bukës në Shqipëri subvencionohen nga qeveria shqiptare përmes çmimit më të ulët të energjisë.
Të gjitha ato njësi tregtare që operojnë vetëm si furra buke paguajnë 7.6 lekë për KWh, që është çmimi më i ulët të cilin ne e aplikojmë për target grup këtu në OSHEE.
Pas një diskutimi publik shumë të gjatë, kjo vlen të theksohet pasi unë e vlerësoj shumë bashkëpunimin me Shoqatën e bukëpjekësve, kanë qenë shumë aktivë dhe jemi ulur disa herë në tryeza. Vetë ata na kanë kërkuar një diferencim midis njësive tregtare që pjekin vetëm bukë, atyre që pjekin bukë por kanë dhe pastiçeri, dhe atyre njësive tregtare që kanë edhe pjekjen e bukës, edhe pastiçerinë edhe bar kafenë. Pas një diskutimi të gjerë, kemi rënë dakord në këtë lloj skeme", përmbylli Belinda Balluku.