Peshkatarët shqiptarë, amatorë dhe profesionalë, do të habiten ndoshta kur nga viti i ardhshëm do të kenë kufizime të theksuara në zonat ku duhet të peshkojnë për Merlucin, barbun apo kambale.
Në datat 4-8 nëntor në Romë u mbajt Komisioni i Përgjithshëm i Peshkimit për Mesdheun dhe një ndër pikat që u ra dakord dhe do ti propozohet për miratim Këshillit europian të fillimdhjetorit të këtij viti do të jetë pikërisht përcaktimi i zonës së peshkimit në Mesdhe, në detin Adriatik dhe në kanalin e Otrantos.
Për të ruajtur pasurinë nënujore, ky komision ka propozuar që mes Shqipërisë dhe Italisë të ketë takime me rezultate shkencore për të mbrojtur biodiversitetin në nivelin e pellgut detar.
Masat përfshijnë: Krijimin e një zone të kufizuar për peshkim midis vendeve të BE dhe vendeve joanëtare të BE. Për kanalin e Otrantos të Adriatikut të Jugut kjo do të jetë rezultat i bashkëpunimit shkencor mes Italisë dhe Shqipërisë. “Do të mbrohen ekosistemet e cënueshme detare, vecanërisht koralet e bambusë (isidella elongata) dhe habitatet e peshqëve demersalë (merluc, barbun, kambale). “Miratimi i kësaj mase, përvec asaj ekzistuese të Jabuka Pomo (një zonë e vecante e mbrojtur mes Kroacisë dhe Italisë), e vendos Adriatikun si nënrajonin me mbulim më të lartë të mbrojtjes së shtratit të detit në Mesdhe” është një ndër konkluzionet e këtij takimi.
“Bashkëpunim nënrajonal: nën udhëheqjen e BE-së, GFCM miratoi një grup masash të avancuara për Detin Adriatik, duke vendosur një precedent të fortë për zonat e tjera në zhvillimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse për menaxhimin e peshkimit, bazuar në një strategji të re korrje për qëndrueshmërinë afatgjatë të stokut dhe fitimin afatgjatë të flotave” është një tjetër konkluzion i këtij takimi që do ti propozohet këshillit europian.
Gjithashtu u morën masa shtesë për ruajtjen e ngjalës europiane dhe koralet e kuqe, bazuar në programet kërkimore të financuara nga BE.