Bashkimi Europian ka shprehur mbështetjen e tij për Shqipërinë dhe Greqinë në përballimin e situatës kritike të zjarreve që kanë prekur të dy vendet.
Të dyja shtetet kanë aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të menaxhuar emergjencën. Në përgjigje të kësaj kërkese, Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian (ERCC) ka angazhuar menjëherë burime zjarrfikëse ajrore dhe tokësore nga disa vende të BE-së. Për Greqinë, janë dërguar dy avionë nga Italia dhe një helikopter nga Franca, ndërsa Serbia ka ofruar gjithashtu një helikopter.
Ndihma për Shqipërinë përfshin një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania, me kapacitet për të transportuar deri në 6 ton ujë, i cili pritet të vihet në dispozicion më 14 gusht. Komisioni Evropian vazhdon të monitorojë situatën nga afër dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmë të mëtejshme nëse kërkohet.