Bashkimi Europian dënon ashpër sulmin me tritol ndaj gjyqtarit trë Shkodrës Tonin Sterkaj. Reagimi i Bashkimit Europian vjen një ditë pas kërcënimit me tritol në banesën e magjistratit në Shkodër si dhe pas mbledhjes së KLGJ ku u vendos mbrojtje e magjistratit Tonin Sterkaj dhe familjes së tij nga Policia e Shtetit me 6 muaj.
BE thekson se siguria e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ne dënojmë ashpër sulmin e bërë sëfundmi ndaj një gjyqtari në Shqipëri. Siguria e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit gjyqësor në Shqipëri.”
Deklarata e KLGJ
Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.