Gazetari i njohur Basir Çollaku ka bërë një reagim që paralajmëron zhvillime të ethshme në Bashkinë e Tiranës. Ai thotë se Prokuroria e Posaçme ka prerë disa fletë-arreste për zyrtarët e institucionit të drejtuar nga Erion Veliaj, të shumëpërfolur për afera korruptive.
Çollaku lë të nënkuptohet SPAK, duke ju referuar prokurorëve si "kolegët", ashtu siç kryebashkiaku i Tiranës i quajti ata kur u mor për më shumë se 7 orë në pyetje.
Edhe Bashkinë e Tiranës nuk e përmend drejtpërdrejt, por punonjësve të saj u referohet si komshinjtë e "Et'hem Beut", për shkak të afërsisë që godina e institucionit ka me zyrën e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe vartësve të tij.
"Duket se sot, me datë 4 nëntor 2024, ka zbritur një kërkesë në kat të parë, për masë sigurie, për komshinjtë e "Et'hem Beut" kërkesa është një, por emra janë disa.. Ç'të bëjnë kolegët s'ta bën Perëndia... Shpresojmë dinjiteti profesional të mos e kthejë pas por ta çojë në adresë. Nuk është 1 prill", shkruan Basir Çollaku.
Edhe më parë, Bashkia e Tiranës e drejtuar nga socialisti Erion Veliaj është kthyer në "shënjestër" të prokurorëve të SPAK, për shkak të disa hetimeve që janë hapur paralelisht, që nga inceneratori, korrupsioni dhe abuzimi me tenderat.