
Gjykata e Posaçme ka ndërruar masën e sigurisë për biznesmenin Gazmend Haxhia i cili po hetohet në kuadër të dosjes së “SASPAC”. Fillimisht SPAK kërkoi arrest shtëpie për të, me GJKKO-në që e miratoi kërkesën e Prokurorisë. Por, Haxhia nuk u gjend në Shqipëri teksa ndodhej në një udhëtim pune.
Kësisoj, sot Gjykata e Posaçme ka vlerësuar që të ndryshojë masa e sigurisë duke e lënë Haxhinë në detyrim paraqitje. Ai është nën hetim për shpërdorimet e fondeve të dhëna nga BE-ja për SASPAC, teksa dyshohet se ka bashkëpunuar me Ilir Beqajn për përvetësimin e këtyre të ardhurave.
Kujtojmë që Gazmend Haxhia ishte në një udhëtim pune në Kinë në ditën kur SPAK caktoi masat e sigurisë për shtatë personat e dyshuar për këtë aferë, ndër të cilët bënte pjesë edhe biznesmeni. Sot është vendosur që ai të lihet në detyrim paraqitje.