Banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës kanë dalë sërish pasditen kësaj të marte, 3 shtator në protestë në aksin rrugor Thumanë-Kashar, e disata në radhë e zhvilluar që nga hapja e kësaj rruge.
Edhe këtë herë qytetarë të shumtë janë vendosur pranë aksit, ndërsa forcat e policisë nuk kanë arritur t’i ndalojnë nga bllokimi i qarkullimit të mjeteve.
Si në protestat e kaluara banorët, të cilët edhe pse nuk kanë ndaluar protestat e tyre prej hapjes së aksit, nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe zgjidhje për kërkesat e tyre.
Ata i kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për të krijuar një dalje dytësore që të kalojë në rrugën e vjetër për shkak se bizneset e tyre në këtë mënyrë po falimentojnë. Sipas banorëve, devijimi i rrugës së re ka bërë që bizneset e tyre të shkojnë drejt falimentit dhe kjo sipas tyre është një padrejtësi që po bëhet hapur në kurriz të tyre.
Pjesë e protestës së banorëve janë edhe anëtarë të Partisë Demokratike, ndërsa protesta po shoqërohet nga një numër i madh policësh. Gjatë protestës, banorët janë konfliktuar me uniformat blu të policisë së shtetit pasi nuk pranojnë që të lirojnë rrugën, duke shkaktuar edhe trafik kilometrik për qindra kilometra.
"Këtu nuk ka zgjidhje, ka hekura. Po tallen me ne. Ne nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur. Ne jemi sovrani dhe ne duhet të vendosim. Të vendosen hyrje-dalje për rrugën kryesore për çdo fshat." - është shprehur një nga banorët.