
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një vizitë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, për të uruar gjithë shqiptarët dhe gjithë besimtarët në këtë festë të shenjtë të Pashkëve.
Gjatë vizitës, presidenti Begaj theksoi rëndësinë e kësaj feste për besimtarët dhe për shoqërinë shqiptare, duke uruar për shumë gëzim, begati dhe paqe.
“Ngjallja e Krishtit është një ditë e shenjtë, është dritë, është shpresë, është besim, është gëzim. Është një shenjë që na fton për më shumë dashuri dhe mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët për shumë gëzim, begati e paqe në këto pashkë të gëzuara. Uroj për një të ardhme më të mirë dhe të ndritur për ta këtu, në vendin e tyre”, u shpreh Begaj.
Gjithashtu, edhe Kryepeshkopi i gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi, i bashkohet urimit të presidentit, ndërsa shpreh se dita e Pashkës është gëzim për gjithë shqiptarët.
“Dita e Pashkës është ditë gëzimi. Le të shpresojmë që Pashka të sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë”, tha Joan Pelushi.