
Teksa ditët kalojnë plaga te familja e 14-vjeçarit Martin Cani vijon të dhembë akoma dhe më tepër. Humbja e djalit të tyre, ka lënë “zemërthyer”, Angel dhe Florina Canin të cilët vazhdojnë kërkojnë drejtësi.
Së fundmi, Angel Cani ka folur për emisionin “Me Zemër të Hapur”, ku dhe ka përsëritur të njëjtën thirrje, atë të drejtësisë për djalin e tij.
Mes lotësh, babi i Martinit ka zbuluar se djali i tij i vogël, Henri, nuk e di ende se vëllai i tij ka ndërruar jetë. Duke bërë me dije se si ai, po ashtu dhe bashkëshortja ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike, Angel ka theksuar se kanë nevojë për ndihmën e një psikologu.
“Jemi në një gjendje të rënduar psikologjike. Nusja është mbyllur në vetvete dhe kemi nevojë për ndihmën e një psikologu. Vëllai të Martinit , Henri akoma nuk është në dijeni të ngjarjes sepse gjendja e tij shëndetësore mund të përkeqësohet.
Është më tragjike akoma situata me djalin e vogël. Henri merr fotografitë e Martinit, por nuk e di ende që vëllai i ka ndërruar jetë. Nëse do t’i tregojmë të vërtetën kemi frikë se do të kthehet pas progresi i djalit, dhe kjo na vret shumë.
Kërkojmë drejtësi, që institucionet të bëjnë punën. Zinxhir nis që nga dera e shkollës. Ndihma e parë duhej t’i jepej në QSUT jo të çohej te Trauma”, tha ai.