
Është shtyrë seanca për Arbër Paplekajn, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Ngjarje e ndodhur katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 2021.
Bëhet me dije se seanca ditën e sotme është shtyrë për shkak se avokatët ditën e djeshme morën vendimin që në shenjë proteste për dhunën barbare të ushtruar ndaj kolegu të tyre, Sokol Mëngjesi, të bojkotonin të gjitha seancat gjyqësore.
Seanca e radhës ndaj Arben Palekajt është planifikuar të zhvillohet më datën 21 Qershor në orën 09:30.
“Përshëndetje! Në vijim të komunikimeve mbi veprimtarinë e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju njoftojmë se: Sot me date 05.06.2024, ora 09:30, ishte planifikuar seanca gjyqësore e cështjes penale ndaj te pandehurve Arbër Paplekaj, etj.
Mbi bazën e vendimit nr. 1, datë 04.06.2024 të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë për “Bojkotimin e të gjitha proçeseve gjyqësore civile, penale….”, seanca gjyqësore u shty në datë 21.06.2024, ora 09:30. Ju faleminderit!”, njoftoi gjykata.
Kujtojmë se Gjykata dënoi në korrik të 2023 me 22 vite burg ish-efektivin e RENEA-s Arbër Paplekajn, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit.
Ndërkohë, Gjykata ka dënuar me nga 1 vit shërbim prove dy ish-nën drejtorët, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi dhe 8 muaj “shërbim prove” për 6 efektivët e forcave ‘Shqiponja’, Dedion Durakun, Pëllumb Biçakun, Erion Ballën, Erion Meçjen, Donald Dedjen dhe Besmir Kadiun.
Arbër Paplekaj akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe mbi të rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.
Ngjarja e rëndë në Elbasan ka ndodhur pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku siç u tha pati shkëmbim zjarri kur u kap makina e shtabit të PS-së nga Struktura e Mbrojtjes së votës, e ngritur nga PD, duke shpërndarë para në këmbim të votës.
I vrarë mbeti Pjerin Xhuvani, u plagos efektivja Xhensila Sota dhe tre persona të tjerë.
Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
“Kam kaluar testin e integritetit nga agjencitë amerikane kur jam dërguar ne Afganistan. Jam dekoruar nga kryeministri për luftën e antiterrorist. Kam qenë 10 vjet me armë në brez. 10 vjet jam përplasur me grupe kriminale dhe kurrë s’e kam përdorur. Pasi më shanë, më dhunuan dhe më qëlluan shokun me plumb më thoni ç’duhet të beja? Nuk pata rrugë tjetër. Nuk desha me e vra atë djalë.
Nuk gëzova me e vra atë djalë. Mbrojta jetën teme. U përballa me instiktet. Jam ish anëtar i forcave speciale. Dhe instikti i parë për të cilin jam stërvitur është të reagoj kur rrezikohet jeta ime apo e dikujt. Në momentin që sheh armën reagon. E njihni teorinë e qenve të Pavollovit? S’kam vepruar me zemër. Kam qenë makineri. Kam reaguar si jam stërvitur për dhjetëra vite”, tha ai kur u dorëzua.