Një 33-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe Policia e Shtetit për një tentativë vrasjeje, është arrestuar në Angli. Bëhet fjalë për Edison Mucekun, për të cilin autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat e ekstradimit.
Sipas dokumenteve të gjykatës së City of Westminster, Muceku akuzohet si bashkëautor në një sulm të armatosur kundër Hamza Terziut, ngjarje e ndodhur më 21 maj 2020 në Bulqizë. Viktima shpëtoi, por mbeti i plagosur nga të shtënat.
Muceku, i konsideruar si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Hektor Xheçuka, ka kërkuar që procesi i ekstradimit të ndalet, duke shprehur dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri dhe për t’u përballur me akuzat.
Hetimet zbulojnë se grupi i Xheçukës, i njohur për aktivitete kriminale, përfshirë vrasjet me pagesë, është i lidhur me emra të tjerë të njohur të botës së krimit në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arreste për disa anëtarë të këtij grupi pas publikimit të bisedave të koduara në aplikacionin SkyECC.
Sipas dosjes hetimore, Hektor Xheçuka, i cili dyshohet të jetë strehuar në Dubai, ka drejtuar sulmin ndaj banesës së Hamza Terziut si një paralajmërim për konfliktet mes grupeve. Në operacionin “Revanshi”, SPAK ka identifikuar të përfshirë edhe emra të tjerë si Albert Zaja, Florenc Kelmendi dhe Ardit Gjokrosa.
Një nga episodet e zbuluara përfshin planifikimin e një sulmi ndaj banesës së Terziut, të ndihmuar nga informacione të siguruara nga familja Gjokrosa. Për këtë rast janë lëshuar disa urdhër-arreste nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Vijon bashkëpunimi me homologët për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet nga autoritetet britanike, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, operacioni policor i koduar “Another”.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 34 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Manchester, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.