Kryeplaku i fshatit Pepsumaj është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike në këtë zonë. Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndaj shtetasit Ndue Fiku 70 vjeç, që mbante detyrën e kryeplakut të zonës së Pepsumaj ,si dhe djalit të tij Mark Fiku, 31 vjeç kishte nisur një procedim penal në 2023 për kultivim kanabisi në bashkëpunim.
AMP ekzekutoi vendimin për masën e sigurisë “Arrest me burg” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, ku bëhet me dije se mbi 70 vjeçarin rëndon akuza për kryerjen e vepërs penale “Kultivimit të bimëve narkotike“ dhe “Shpërdorimit të detyrës“, ndërsa djali i tij akuzohet për kultivim kanabisi në bashkëpunim.
Agjencia vazhdon hetimet për dokumentimin e veprimtarisë së punonjësve të policisë në këtë aktivitet kriminal.
Njoftim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ekzekutoi urdhrin e prokurorit mbi vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në bazë të hetimeve të thelluara nga AMP-ja, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në funksion të hetimit të procedimit penal të vitit 2023, regjistruar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Sa më sipër, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të përfshirjes në këtë aktivitet kriminal të kultivimit të bimëve narkotike nga shtetasit:
- N. F., 70 vjeç, me detyrë Kryeplak i zonës Pepsumaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike“ dhe “Shpërdorimit të detyrës“.
- M. F., 31 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” në bashkëpunim.
Agjencia vazhdon hetimet për dokumentimin e veprimtarisë së punonjësve të policisë në këtë aktivitet kriminal.
AMP-ja mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.