
Bie në prangat e policisë 36 vjeçari i shpallur në kërkim që prej shtatorit 2024 si i akuzuar për vjedhje në një banesë në Durrës.
Bëhet fjalë për Alfred Hoxha, i cili në bashkëpunim me motrën e tij E. K., 33 vjeçe, e cila punonte si sanitare në banesën e grabitur, dhe me vëllain F. Hoxha, 42 vjeç, kanë arritur të marrin nga shtëpia duke përdorur kopje të çelësit të derës, disa bizhuteri dhe vlera parash.
Ka qenë e motra 33 vjeçare e cila u ka dhënë çelësin vëllezërve të saj me qëllim grabitjen e banesës.
Gjatë kontrolleve në banesën e tyre, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një varëse dhe unazë floriri, vlera parash si dhe një automjet që dyshohet të jetë përdorur për grabitjen.
Lidhur me këtë ngjarje, 33 vjeçarja E. K dhe vëllai i saj 42 vjeçari F. Hoxha, ishin arrestuar më parë, ndërsa sot policia bëri të mundur kapjen e Alfred Hoxhës.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “The key”, për kapjen e një 36-vjeçari të shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për vjedhjen e një shumë parash dhe bizhuterish, në një banesë, duke përdorur kopje të çelësit të derës.
Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. H., 36 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim më datë 14.09.2024, në lidhje me vjedhjen e një shume parash dhe bizhuterish, në një banesë në lagjen nr.18, Durrës.
Për këtë rast, në shtator, janë arrestuar shtetasja E. K., 33 vjeçe dhe F. H., 42 vjeç, të dy banues në Durrës. 33-vjeçarja, e punësuar sanitare në këtë banesë, dyshohet se ka siguruar kopje të çelësit të derës dhe ua ka dhënë 42-vjeçarit dhe 36-vjeçarit (vëllezër), të cilët dyshohet se më pas kanë kryer vjedhjen. Gjithashtu, në shtator, shërbimet e Policisë kanë gjetur në banesën e 42-vjeçarit dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.