
Gjykata e Lezhës ka liruar nga qelia 3 punonjësit e burgut të Shënkollit, të cilët u arrestuan pas arratisjes së Daut Lazes.
Dy gardianët Gjin Ndoka, Mark Nikolli dhe operatorja e kamerave Zhaneta Mella, janë njohur sot me masën e sigurisë. Për dy gardianët është vendosur masa "Arrest shtëpie", ndërsa për operatoren e kamerave është vendosur masa “Detyrim Paraqitje”.
Mësohet se gjatë seancës me dyer të mbyllura, tre punonjësit nën akuzë për shpërdorim detyre, kanë deklaruar se nuk e kanë konstatuar arratisjen e 49-vjeçarit nga burgu.
Pasi dëgjoi palët gjyqtari Lirim Bulica pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tre punonjësve të burgut dhe vendosi ndaj tyre masat e sigurisë “Arrest në Shtëpi” për Gjin Ndokën punonjës shërbimi në kupole dhe Mark Nikolli punonjës ne sektor (grup sigurie), ndërsa (operatore kamerave) Zhaneta Mella u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Daut Laze arriti të arratisej nga Burgu i Shënkollit gjatë orëve të mbrëmjes të së hënës. Laze vuante nga problemet e shëndetit mendor dhe mungesa e tij në burg u konstatua ketë të martë pasi mungoi në apelin e mëngjesit.
Pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, u vërejt se Laze kishte shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për tu larguar nga rrethimi i institucionit.