Hapësire reklamuese

Aktualitet

Apeli nuk pranon kërkesën e Ervin Muçës, lë në fuqi masën e arrestit për drejtorin e Policisë që vodhi të dhënat e TIMS

Shkruar nga Newsbomb
Apeli nuk pranon kërkesën e Ervin Muçës, lë në
Zyrtari nen hetim, Ervin Muça

Gjykata e Apelit në Tiranë ka refuzuar kërkesën e Ervin Muçës, ish-drejtor i lartë në Policinë e Shtetit, për të ndryshuar masën e sigurisë. Ai ndodhet aktualisht në "Arrest në shtëpi" për shkak të akuzës se ka vjedhur të dhënat e sistemit TIMS, por kishte kërkuar nga togat e zeza masë më të butë.

Kërkesa e ish-drejtorit të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit nuk është pranuar dhe Ervin Muça do të qëndrojë në "Arrest në shtëpi" deri në përfundim të hetimeve.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" dhe "Pezullim nga detyra", për ndërhyrjen e paligjshme dhe vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, në verën e vitit 2023 dhe togat e zeza kanë pranuar.

Rezulton se, në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.

Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.

Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse.

Hetimet janë në vijueshmëri, por siç është denoncuar në media, një grup personash të njohur të drejtorit Muça kanë zbarkuar në serverat ku mbahen të dhënat e TIMS dhe kanë marrë prej andej të dhënat e sensitive të shtetasve shqiptarë dhe atyre të huaj që jetojnë në vendin tonë.

Emërimi si Drejtues i Lartë në Policinë e Shtetit pa certifikatë sigurie

Ervin Muça, Drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit i akuzuar për sulmin/ndërhyrjen ndaj sistemit TIMS, nuk ka pasur kurrë një certifikatë të sigurisë së personelit. Një kriter kyç për emërim në poste të tilla, sepse personi është në kontakt për shkak të detyrës me informacione të kategorizuara "tepër sekret".

Mungesa e këtij dokumenti është konfirmuar zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) që shkruante: "Z. Ervin Muça nuk është i pajisur me CSP (certifikatë të sigurisë së personelit) dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë kërkesë për konfirmim të vlefshmërisë".

Siç ka rezultuar dhe pas ndërhyrjes së paligjshme në TIMS mbrëmjen e 2 Gushtit 2023, por dhe me pas, Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit jo vetëm që është emëruar në detyrë në mungesë të një certifikate sigurie, por edhe pas skandalit që rrodhi në media ai nuk e ka marrë mundimin të aplikojë për t'u pajisur me një të tillë.

Megjithatë, dyshimet janë se Ervin Muça e ka shmangur këtë procedurë, ose është lejuar të veprojë kështu, sepse historiku i tij nuk është dhe aq i pastër. Ai është gjetur përgjegjës për dokumente të falsifikuara në Itali dhe Policia e Barit e ka dëbuar nga Italia në vitin 2008.

Besueshmëria e Ervin Muçës dhe hetimi i AMP-së

Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmerisë së personit nën hetim Ervin Muça, në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin.

Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit Ervin Muçës i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.

Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies.

Personi nën hetim Ervin Muça rezulton se nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e Drejtorit të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese