Apeli i GJKKO-së ka lënë në qeli 25-vjeçarin Admir Tutaj i cili akuzohet për trafik armësh drejt Anglisë.
Gjyqtarja Saida Dollani në seancën e kësaj të premte ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke rrëzuar kështu kërkesën e bërë më herët nga i riu për masë më të butë sigurie se “arrest në burg”.
Admir Tutaj, ra në prangat e autoriteteve kolumbiane më 23 gusht të këtij viti dhe u ekstradua drejt ventin tonë më 19 shtator. 25 vjeçari akuzohet si pjesë e një grupi që trafikonte pistoleta drejt ishullit.
Konkretisht, ai akuzohet si pjesëtar i një grupi kriminal, i cili në prill të këtij viti tentoi të trafikonte nëpërmjet portit të Durrësit, në Britani të Madhe, 7 pistoleta dhe municion luftarak.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 30.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.