Hapësire reklamuese


Aktualitet

Apeli i GJKKO le në fuqi masën për Evis Berberin, mbetet në burg ish-kreu i ARRSH dhe bashkëpunëtorët e tij

Shkruar nga Newsbomb
Apeli i GJKKO le në fuqi masën për Evis Berberin, mbetet në
Evis Berberi

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-kreun e ARRSH, Evis Berberin, Ervis Lami dhe Valter Begaj.

Vendimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 25.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 16 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ankimet e personave nën hetim Evis Berberi, Ervis Lami, Valter Begaj, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 21, datë 13.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe të vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Evis Berberi, u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme që dyshon se ai është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash. Si bashkëpunëtor të tij në skemën korruptive në pranga ranë edhe dy biznesmenë, administrator të dy kompanive private, Valter Begaj dhe Ervis Lami për të njëjtat akuza. SPAK beson se të tre ata me anë të dy kompanive private të administruara së bashku, ligjërisht dhe indirekt, vunë në jetë skemën korruptive dhe të pastrimit të parave.

Në një njoftim zyrtar Prokuroria tha se i arrestuari Valter Begaj, administrator i kompanisë Net Group SHPK, përfitoi 3 tendera në kohën kur Berberi ishte Drejtor i Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë me vlerë totale 137.4 milionë Lekë dhe 3 tendera të tjerë, me vlerë 101.8 milionë Lekë, kur ai drejtonte ARRSH-n.

Për fitimin e këtyre tenderave, kjo kompani rezulton se i ka kaluar në rrugë bankare mbi 223 milionë Lekë kompanisë tjetër DAAM SHPK, për të cilën SPAK thotë se ishte në zotërim indirekt nga Evis Berberi, por administrohej nga i arrestuari tjetër Ervis Lami me bashkëortak Valter Begajn.

Hetuesit dyshojnë se këto vlera monetare janë investuar në pasuri të paluajtshme të blera nga kompania DAAM SHPK, duke çuar kështu në tjetërsimin e tyre me qëllim pastrimin e parave të përfituara nga korrupsioni.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese