Nuk mund të mbyllim sytë përballë skandalit në Shkollën e Magjistraturës. Një debat i fortë mes anëtarëve të KLP ka filluar në mbledhjen e pare që drejtohet nga kryetarja e re Mirela Bogdani. Është Tartar Bazaj, nënkryetari që ka ngritur shqetësimin pasi Bogdani ka lexuar se në rendin e ditës është vendosur edhe pika e verifikimit të pasurisë të kandidatëve që kanë dalë fitues nga shkolla e Magjistraturës dhe që duhet të bëhen prokurorë.
“Eshtë anatemuar drejtori i shkollës së magjistraturës. Pa diskuuar personalitetin e tij se nuk dua të them se ai ka qenë prokuror i përgjithshëm dhe është shkarkuar nga parlamenti, por diskutohet një cështje shumë e nxehtë”, tha Bazaj.
Bazaj tha se këtë vit u shpallën tre lista dhe në fund lista nga 79 kandidatë shkoi në 131 dhe kjo nuk ka justifikim.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Arta Mandros. “Unë vij nga shkolla e Magjistraturës. E njoh dhe është një institucion që punon si sahat. Fakti që shkolla gjendet në këtë situatë ka të bëjë me Scantronin dhe kjo është e qartë. Nuk ka mbetur askush të rregullojë ndonjë interes të vetin të vogël duke përdorur scantronët. Kjo kakofoni të mos bëhet objekt abuzimi” tha Mandro.
Tartar Bazaj kundërshton sërish. “Janë qindra familje, qindra stundentë. Ne nuk mund të mbyllim sytë. Unë e kam ngritur shqetësimin për vite të tera dhe ja ku doli”. “Eshtë gënjeshtër” e kundërshtoi menjëherë Arta Mandro.
Duket se fjala “gënjeshtër” i futi në konflikt sërish anëtarët. “Kur folët ju, nuk thashë gënjeshtër” tha Bazaj dhe më pas i referohet drejtorit të shkollës Arben Rakipi. “A duhet të besoj unë tek një person që merr shkresa dhe nuk kthen përgjigje. Një person që nuk u jep studentëve që kandidojnë të njihen me provimet e tyre. Pa diskutuar faktin se ky person është anatemuar nga kuvendi i Shqipërisë, është shkarkuar” tha Bazaj.
Vate Staka ndërhyn në këtë debat duke i kujtuar Bazajt se Rakipi është shkarkuar nga Parlamenti në vitin 2002 por “është rikthyer me vendim të Gjykatës Kushtetuese”.
“Madje për moszbatimin e vendimit të GJK Namik Dokle si kryetar kuvendi ka dhënë dorëheqjen. Nëse ka dy institucione me të cilat duhet të krenohet populli është shkolla e Magjistraturës dhe SPAK” tha Staka.
Debatet vijuan ndërkohë që kujtohet se për skandalin e provimeve te shkolla e Magjistraturës është filluar edhe një çështje nga SPAK dhe BKH.