Pronarët e disa kompanive që lëshonin fatura fiktive TVSH-je dhe punonjësit e tyre janë arrestuar nga Policia e Durrësit, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Siç rezultoi nga hetimet disa mujore, bëhet fjalë për Redion Sefa, Indrit Allamani, Aldo Myftari dhe Lovjano Topi.
Grupi hetimor ka verifikuar shitjet e subjektit “Redion Sefa” Person Fizik, i cili ka vetëdeklaruar në vlerë total shitjeje prej 286,301,702 lekësh për periudhën Dhjetor 2023 dhe subjektit “Lovjano”, që ka vetëdeklaruar një total shitje 162,302,300 lekë gjatë Dhjetorit të vitit 2023. Edhe kompani të tjera janë përfshirë në këtë proces, duke prerë fatura për shërbime të pakryera.
Hetimi Tatimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka kryer verifikimin e faturave të deklaruara, shitjet totale, historikun e punësimit të shoqërive të ndërtimit dhe marrëdhëniet me bizneset e tjera.
Nga analizimi i të dhënave të deklaruara si shitjet totale për çdo subjekt, është kryer llogaritja e tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe Tatimi Fitimi për çdo subjekt, dhe ka zbuluar dëmin miliarda lekë ndaj shtetit. Gjithashtu, janë kryer verifikimet e pajisjeve dhe automjeteve që zotëronin shoqëritë e ndërtimit.
Nga kjo ka rezultuar se subjekti “3D Construction” me administrator biznesmenin e shpallur në kërkim Indrit Visha dhe pronare shtetasen Edlira Visha, kishte në pronësi vetëm automjete luksoze, Mercedes Benz AMG 63, Mercedes Benz AMG GT 43, Porsche Cayenne, Land Rover apo BMW X5, raporton newsbomb.al.
Pra, pavarësisht se objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie ishte në fushën e ndërtimit, në pronësi të saj nuk është gjetur asnjë automjet që përdoret për aktivitetin e ndërtimit, por të gjitha janë makina luksoze që dyshohet se janë përfituar nga pastrimi i parave përmes lëshimit të faturave fiktive me TVSH.
1- Mercedes Benz AMG 63 i vitit 2023 kushton plot 170.000 dollarë;
2- Mercedes Benz AMG GT 43 i vitit 2024, nis nga 100.000 dollarë versioni i thjeshtë;
3- Porsche Cayenne i vitit 2024, nis nga 86.000 dollarë versioni i thjeshtë;
4- Land Rover (Range Rover) i vitit 2024, nis nga 100.000 dollarë versioni i thjeshtë;
5- BMW X5 e vitti 2024, nis nga 66.000 dollarë versioni i thjeshtë.