
Ambasada britanike ka konfirmuar vizitën e sekretarit të Jashtëm, David Cameron në Shqipëri.
Në axhendën e vizitës së sekretarit të Jashtëm britanik në Shqipëri është planifikuar takim me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm Igli Hasani.
Përmes në një reagimi, bëhet me dije se në fokus të këtij takimi do të jetë emigracioni i paligjshëm, i cili është kthyer vitet e fundit në një problem madhor në Britani si dhe plani mes dy qeverive për të për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t'u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.
Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.
Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.
Sakaq, burime për mediat bëjnë me dije se Cameron do të mbërrijë në vendin tonë më 22 maj. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij britanik, Rishi Sunak.
Sipas njoftimit të qeverisë britanike, dy liderët diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, si dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve me rritje të investimeve në fusha të ndryshme të ekonomisë si dhe tregtisë.
Kryeministri britanik, Sunak vuri në dukje progresin e bërë nga Shqipëria për migracionin, mbi marrëveshjet e nënshkruara më herët midis vendeve për kthimin e emigrantëve shqiptarë në atdhe, teksa pranuan se do të duhej më shumë punë për të trajtuar sfidën e migracionit të paligjshëm në të gjithë Evropën.
Sondazh