Hapësire reklamuese

Aktualitet

AMA mbi 300 inspektime e dhjetëra gjoba për shkelësit, Krasniqi: Shqetësim pirateria televizive

Shkruar nga Newsbomb
AMA mbi 300 inspektime e dhjetëra gjoba për shkelësit, Krasniqi:
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ne Komision

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka prezantuar sot para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Raportin Vjetor të vitit 2023. Në fjalën e saj ajo ka bërë një përmbledhjeve të angazhimeve kryesore të AMA-s gjatë vitit që lamë pas.

Ndër pikat kryesore të punëve të kryera, Krasniqi ka theksuar ndryshimet ligjore të bëra në ligjin organik të AMA-s, ndryshe të njohura si transpozimi i Direktivës së BE-së 2018/1808. Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve, sipas Krasniqit, ka krijuar kushte konkrete për hapa përpara, në drejtim të garantimit të së drejtës së informimit dhe lirisë së shprehjes, të rritjes së transparencës së pronësisë së OSHMA-ve, por edhe të nxitjes së vetërregullimit dhe bashkërregullimit të tregut mediatik.

Ky ndryshim u pasua me hartimin e Rregullores që trajton në mënyrë të posaçme transparencën në strukturën pronësore dhe deklarimin e të dhënave të tjera të lidhura me licencën/autorizimin prej OSHMA-ve.

Tjetër prioritet i punës së AMA-s gjatë vitit 2023 ka qenë edhe forcimi i luftës kundër piraterisë televizive, për të parandaluar dhe evituar rastet e ritransmetimit të paautorizuar të eventeve të drejtpërdrejta, nga subjekte që nuk kanë të drejtë apo marrëveshje transmetimi. Në funksion të kësaj, AMA, në fund të vitit 2023, ka propozuar ndryshime të reja ligjore ku parashikohet futja e konceptit të piraterisë televizive në ligj dhe ndëshkueshmëria e saj, forcimi i masave shtrënguese ndaj piraterisë televizive, futja e konceptit të Matjes së Audiencës, si dhe heqja e konceptit të licencave rajonale apo lokale, duke përdorur një koncept të vetëm për licencën: Ofrues Shërbimi Audioviziv të Mbështetur.

Përveç kësaj, lidhur me respektimin e të drejtave të transmetimit, gjatë vitit 2023 AMA ka kryer një numër të konsiderueshëm inspektimesh të subjekteve kabllore/IPTV/OTT në terren. Inspektimet janë kryer nga ankesat e depozituara nga subjektet mbajtës të së drejtës, por dhe kryesisht nga AMA.

“Vlen të theksohet se, pjesa dërrmuese e ankesave për shkeljen e të drejtave të transmetimit, gjatë vitit 2023, lidhet me fenomenin e piraterisë televizive që kryhet nga subjekte të paautorizuara nga AMA për ofrimin e shërbimit audioviziv”, ka thënë në fjalën e saj kryetarja e AMA-s. “Konkretisht, bëhet fjalë për subjekte ISP (Internet Service Provider), të cilët nëpërmjet internetit kryejnë pirateri televizive pa autorizim nga AMA. Për këtë fenomen, AMA, ka përcjellë pranë AKEP-it, 28 praktika zyrtare, me qëllim marrjen e masave, për mbylljen e 128 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të parashikuar në ligjin “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Siç ka dëshmuar kryetarja e AMA-s para Komisionit, lidhur me këtë fenomen, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes në AMA u ka kërkuar gjithashtu aplikacioneve dhe Platformave të ndryshme të Shpërndarjes së Videove (VSP-të) heqjen nga llogaritë e tyre të 19 linq-eve, të cilët transmetonin produkt audioviziv pa të drejta transmetimi. Përveç kësaj, AMA, në zbatim të Memorandumit AMA-AKEP, i cili parashikon dhe ngritjen grupeve të përbashkëta të inspektimit, gjatë vitit 2023, ka kryer 16 kontrolle të përbashkëta, në ISP në gjithë territorin e vendit.

“Fenomeni i piraterisë televizive që kryhet nëpërmjet internetit, është një fenomen sa shqetësues aq dhe i komplikuar për t’u identifikuar, për arsye se në shumicën e rasteve produkti audioviziv që transmetohet abuzivisht, vjen nga servera të vendeve të ndryshme të botës dhe nuk janë të pozicionuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, identifikimi i tyre bëhet shumë i vështirë”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu si prioritet i punës së AMA-s gjatë vitit 2023 është vlerësuar edhe miratimi i Kodit të ri të Transmetimit. Sipas Krasniqit në 13 tryezat e diskutimit të organizuara nga AMA për Kodin e Transmetimit, kanë marrë pjesë me diskutime 87 profesionistë të medias dhe përfaqësues të OSHMA-ve, 78 përfaqësues të shoqatave të grupeve të prekura të interesit, 79 ekspertë të medias dhe komunikimit, 70 përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore si edhe 17 ekspertë dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.

Përfaqësitë e Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në Tiranë, të cilat e ndoqën afër të gjithë procesin, mundësuan edhe tërheqjen e mendimit të ekspertit të Këshillit të Europës për Projektkodin.

Kodi i ri përmban 11 Seksione, kundrejt 8 syresh që kishte Kodi paraardhës. Seksionet e shtuara lidhen me luftën kundër diskriminimit dhe promovimin e barazisë gjinore, si dhe parandalimin dhe luftën kundër gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive. Janë përpunuar dhe zgjeruar në masën 60% seksionet e tjera ekzistuese të Kodit.

Ndër punët vlerësuese të AMA-s gjatë vitit 2023 është renditur iniciativa shumë e rëndësishme e nisjes së diskutimeve me grupet e interesit për procesin e Matjes së Audiencës. Në këto takime AMA u ka paraqitur palëve të interesit, OSHMA dhe shoqata marketingu, modele konkrete të aplikimeve për Matjen e Audiencës nga shtetet anëtare të BE-së, si modele që mund të përshtaten për dinamikën e zhvillimit të tregut audioviziv në vendin tonë. Në këtë proces, që ka vazhduar edhe me hapa të mëtejshëm të rëndësishëm, AMA ka luajtur rol nxitës.

Po ashtu futja e interpretit të gjuhës së shenjave në edicionet informative në dy televizione kombëtare ka qenë një nga prioritetet e punës së vitit 2023.

Ndjekja e një axhende të rëndësishme takimesh dhe pjesëmarrjesh në konferenca jashtë vendit, me institucione të BE-së dhe autoritete rregullatore homologe në rajon dhe Europë është përmendur nga raportimin e kryetares së AMA-s si një tjetër angazhim i rëndësishëm i vitit të kaluar. Nga kjo veprimtari u veçua organizimi në Tiranë nga AMA, i Asamblesë së 22-të Plenare të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore, MNRA, me përfaqësi drejtues dhe ekspertë nga rregullatorët e vendeve që përfshijnë rajonin e Evropës Juglindore, vendeve anëtare të BE-së, Presidenti i ERGA-s, përfaqësues të lartë nga UNESCO dhe drejtues të rëndësishëm të platformave të mëdha të shpërndarjes së videove, si META, Tik-Tok, etj.

Me votim unanim të delegacioneve anëtare të MNRA, Kryetarja e AMA-s mori Presidencën e radhës.

Trajtimi me seriozitet i ankesave të ardhura pranë Këshillit të Ankesave si dhe puna monitoruese dhe inspektuese e AMA-s, në zbatim të ligjit “Për Median Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka qenë një tjetër angazhim i veçuar si prioritet i punës gjatë vitit 2023, nga Kryetarja e AMA-s. Kështu, sipas Krasniqit, gjatë vitit 2023 numri i ankesave është rritur me 7.9%.

Nga gjithsej 390 ankesa të shqyrtuara nga Këshilli i Ankesave në këtë periudhë, 89% u dërguan nga individë, 4.7% nga shoqëria civile, 3% nga studio ligjore, 2% nga institucione dhe 1.3%  nga subjekte tregtare. Pjesa më e madhe e ankesave, ose 59.5 % e tyre ishin për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe etikës së komunikimit; 16.4 % mbi shkeljen e të drejtave të fëmijëve dhe privatësisë së tyre; 3.6 % mbi komunikimet tregtare në median audiovizive etj.

“Në kuadrin e administrimit të ankesave, Këshilli i Ankesave u ka kërkuar OSHMA-ve paraqitje pretendimesh në 12.6% të rasteve, ka organizuar seanca dëgjimore në 2 raste, ka paralajmëruar me “Tërheqje vëmendjeje” në 49.2% të rasteve dhe me sanksion financiar në 6 syresh”, ka thënë Krasniqi.

Nga ana tjetër nga shqyrtimi tematik i përmbajtjeve të emetuara gjatë vitit 2023 ekipet e monitorimit dhe të analizës kanë realizuar verifikimin e 114 rasteve të transmetimeve audio/audiovizive për përputhshmërinë e tyre me kërkesat ligjore. Nga ky verifikim janë konstatuar 49 raste shkeljesh sipas tipologjisë: 55% e rasteve reklama të fshehta; 33% shkelje etike dhe mbrojtja e të miturve; 10% reklama mbi shëndetin dhe medikamentet dhe 2% reklama politike.

Për 49 prej shkeljeve të konstatuara nga ekipet e monitorimit, AMA iu është drejtuar OSHMA-ve me shkresa zyrtare duke tërhequr vëmendjen për 48 raste, ndërkohë që në një rast ka vendosur sanksion me gjobë.

Në lidhje me veprimtarinë inspektuese, kryetarja e AMA-s ka raportuar se përmes grupeve të inspektimit, gjatë vitit 2023 janë ushtruar 332 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve. Nga këto 168 janë inspektime të kryera në bazë të ankesave dhe 164 janë monitorime kryesisht, duke konkluduar në 9 vendime për sanksione me gjobë ndaj subjekteve OSHMA, për 3 raste të tjera është vendosur tërheqja e vëmendjes ndaj tyre.

Edukimi Mediatik, një proces që vazhdon nga AMA, është zgjeruar gjatë vitit 2023 me realizimin, në bashkëpunim me rregullatorin turk, të një cikli  vidoesh informuese/ndërgjegjësese për fëmijët dhe prindërit, me synim aftësimin e të gjitha palëve në përdorimin, në mënyrë të dobishme, të padëmshme dhe të sigurtë të ofertës televizive, si edhe për të mundësuar orientim, lundrim të sigurt dhe prindërim efektiv në mjedisin digjital.

“Gjatë vitit 2023 puna jonë është organizuar me objektiva të qarta për përmbushjen me rigorozitet dhe profesionalizëm, të detyrës së mbikqyrjes dhe rregullimit të mëtejshëm të medias audio dhe audiovizive shqiptare”, ka thënë Krasniqi. “Kjo në përshtatje edhe me sfidat aktuale të tregut mediatik. Pasqyra konkrete e dinamikës së punës në AMA, shikohet në çdo rast në raport me kërkesat dhe nevojat konkrete të publikut, si dhe sipas standardeve që respekton një vend që dëshiron aq shumë anëtarësimin me të drejta të plota në BE”.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese