
Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë takimit me gazetarët bëri me diej se çështja e njohur si “Toyota Yaris” është ende duke u hetuar, teksa rikujtoi edhe një herë vendimin për ndalimin e publikimeve të detajeve e provave për dosjen në fjalë.
“Kur provojmë që dikush ka përdorur Sky ecc për ne është shumë e thjeshtë, por kur flitet për palë të treta ne bëjmë një punë shumë të madhe pasi na duhet që të gjejmë prova për ato që thuhen.”, tha Dumani ndër të tjera.
Gjithashtu, ai paralajmëroi edhe personat të cilët publikojnë informacione kofidenciale, përfshirë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, se do të ndiqen penalisht nëse e bëjnë.
Sakaq theksojmë se jo më larg se disa orë më parë vetë Berisha tha se në vijim do të publikojë të tjera detaje sa i përket kësaj dosje.
“Do të ketë përgjegjësi penale për personat që nxjerrin të dhëna, duke qenë se ka një vendim për ndalim publikimi. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, theksoi ai.
Ndër të tjera, kreu i SPAK dha dhe një përshkrim të shkurtër sa i përket hetimeve që u kryen lidhur me Olsi Ramën. Dumani tha se gjatë hetimeve nuk u provua përfshirja e Olsi Ramës dhe për këtë arsye u pezulluan hetimet.
“Ne e kemi dhënë përgjigjen zyrtare, është hetuar përfshirja e mundshme e Olsi Ramës pas informacioneve të deputetit Gazmend Bardhi, pas hetimeve prokurori ka vendosur pezullimin e çështjes pasi nuk janë identifikuar persona të përfshirë”, tha Dumani.