
Shqiptari Alket Rizai raportohet se ka kërkuar lirimin me kusht nga burgu grek i Domokosit ku ndodhet prej disa muajsh. Mediat në vendin fiqnj i kanë bërë jehonë lajmit, duke shkruar se 47 vjeçari ka mbi shpatulla dy burgime të përjetshme.
Kërkesa e Alekt Rizait është shqyrtuar pasditen e djeshme nga Këshilli Gjyqësor i Kundërvajtjeve në Lamia, por nuk ka arritur të dalë me një vendim, nëse kërkesa do të pranohet apo jo.
Sipas LamiaReport.gr, çështja e 47 vjeçarit është shtyrë për në datën 6 qershor 2025, siç deklaroi një prej avokatëve të tij, Kostas Nousas, pasi klienti i tij ishte transferuar përkohësisht në Qendrën e Paraburgimit Korydallos, për një çështje procedurale.
Ai është dënuar dy herë me burgim të përjetshëm, ndërsa dënimet për veprat e tjera arrijnë deri në 25 vjet.
Alket Rizai ndodhet në burg prej 21 vitesh që kur u arrestua për herë të parë në vitin 2003, pasi arratisjet gjatë kësaj kohe i lejuan të gëzonte vetëm disa muaj liri. Por vitet e fundit, sjellja e tij e kishte lejuar edhe të merrte leje nga burgu, si në janar 2021.
Në atë kohë, në një zonë të Lamisë, policët e Departamentit të Veprimit të Shpejtë që po kontrollonin një automjet të dyshimtë në të cilin ishin dy kriminelë, panë të hipur edhe Alket Rizain, i cili kishte marrë leje 5-ditore të ligjshme.
Hera e fundit që Alket Rizai ka kaluar pragun e gjykatave të Lamisë ka qenë një vit më parë, kur u gjykua nga Gjykata e Kundërvajtjeve prej tre anëtarësh të Lamisë për armë të improvizuara (armëmbajtje) dhe celularë që i ishin gjetur në qeli. Në fund, ai u gjet i pafajshëm.